E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet për vjedhje me maska studenti i Gjeologji Minierave në kryeqytet

 

TIRANE - Arrestohet me akuzën e vjedhjes studenti i Fakultetit të Gjeologji Minierave. Policia tha se 20-vjeçari u kap duke vjedhur një automjet në afërsi të Rrugës së Elbasanit në bulevardin "Bajram Curri". Agjentët e krimeve gjetën më pas disa maska dhe çelësa hekzakonal në dhomën ku banonte studenti, ndërsa i arrestuari hetohet për vjedhje të disa automjeteve të tjera dhe dyshohet edhe për grabitje me maska. Klaudio Ujkaj 20 vjeç, banues në Tiranë, student në fakultetin e Gjeologji Minierave, është arrestuar nga policia e kryeqytetit me akuzën e vjedhjes së automjeteve. Veç tij, policia ka shpallur në kërkim edhe një person tjetër, bashkëpunëtor me të arrestuarin, gjithashtu student. Sipas burimeve zyrtare të policisë, studenti 20-vjeçar nga Lezha është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë së kryeqytetit dhe të seksionit të vjedhjes së automjeteve, të cilët po mbanin në vëzhgim aksin e bulevardit "Bajram Curri". Mësohet se i arrestuari rreth orës 01:00, të pas mesnatës, duke u gdhirë dita e djeshme, sapo kishte mundur të hapte një automjet të markës "Mercedez-Benz" dhe po përpiqej të ndizte mjetin me qëllim largimin nga vendi i ngjarjes. Ndërkaq shërbimet e policisë i janë afruar atij dhe më pas e kanë kapur në automjetin që po përpiqej të grabiste. Pas verifikimeve të kryera, policia ka mësuar se personi nuk ishte pronari i makinës, ndërsa sipas burimeve të policisë gjatë kontrollit fizik të tij i janë gjetur disa çelësa hekzagonalë kaçavida, dhe çelësa si dhe sende të tjera që ai i mbante me vete. Gjatë një kontrolli të kryer në banesën e tij në kryeqytet, policia ka gjetur dhe i ka bllokuar atij, edhe dy maska të zeza, disa palë dorashka si dhe sende të tjera si dara, çelësa kuadri etj. Të gjitha këto, sipas burimeve të policisë, dyshohet se kanë shërbyer si sende për të kryer vjedhjet nga ana e të arrestuarit. Gjithashtu studenti Ujkaj nga Lezha, dyshohet të jetë autor i vjedhjes së një automjeti tjetër në kryeqytet me targa të Durrësit. Pas arrestimit të tij dhe komunikimit të akuzës së vjedhjes, policia ka shpallur në kërkim edhe një student tjetër të dyshuar si bashkëpunëtor.                     d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›