E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, zyrtari i njësisë nr.9 denoncon dhunën

 

TIRANE - Sekretari i Këshillit Bashkiak të njësisë nr.9 në kryeqytet denoncon në polici disa persona duke pretenduar se është ushtruar dhunë ndaj tij. Policia filloi hetimin pas kallëzimit të bërë nga i dëmtuari Anestor Lumi, rreth 50 vjeç, banues në rrugën "Jordan Misja". Ai denoncoi në polici se ka përfunduar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet me disa plagë dhe çarje në kokë, pasi ishte goditur me sende të forta nga dy persona të moshës rreth 25-vjeçare. Ngjarja mësohet se ka ndodhur mbrëmjen e të mërkurës rreth orës 21:00, kur sekretari i Këshillit Bashkiak të njësisë nr.9 ishte duke shkuar për në banesën e tij. Dyshimet e policisë në bazë të deklarimeve të dhëna nga vetë i dëmtuari lidhen me largimin nga puna të disa zyrtarëve vendorë që ishin gjetur me shkelje dhe me vendim këshilli duhej të largoheshin nga puna. Më parë, sipas të dëmtuarit, ai kishte qenë në një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Edi Rama, ndërsa kishin biseduar për buxhetin e vitit 2009 të Bashkisë së kryeqytetit. Vetë i dëmtuari pohoi dje në mbrëmje për gazetën "Panorama", se kishte qenë duke u kthyer për në shtëpi bashkë me dy kolegë të këshillit të njësisë nr.9. Sipas të dëmtuarit, dy persona e kishin ndjekur pak hapa dhe e kanë sulmuar. Më pas ai ka rënë pa ndjenja ndërsa ka lajmëruar policinë, duke përfunduar kështu në spital i qepur në kokë. Pas ngjarjes, blutë kanë nisur hetimin për zbardhjen e ngjarjes ndërsa dyshimet e para sipas deklarimit të të dëmtuarit lidhen me detyrën e tij në njësinë minibashkiake nr.9.                                      d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›