Prokuroria: 4 vjet e 8 muaj burg për grekun
TIRANE - Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi dje 4 vjet e 8 muaj heqje lirie për biznesmenin grek Jorgos Papadhaqis, të arrestuar në prill të këtij viti. Në seancën e djeshme te Krimet e Rënda, prokurori i çështjes lexoi përpara pesëshes gjykuese konkluzionet përfundimtare për dosjen në ngarkim të biznesmenit që u arrestuar teksa po trafikonte drejt Greqisë një sasi lënde narkotike. Sipas prokurorit, Papadhaqis, lindur dhe rritur në Athinë, para një viti jetonte në qytetin e Gjirokastrës ku bashkëjetonte me Daniela B. Në datën 3 prill të vitit 2008, ai po udhëtonte nga Gjirokastra drejt Greqisë me automjetin e tij "Nissan" me targa YIY 2654. Gjatë kontrollit fizik të automjetit nga policia në pikëkalimin kufitar të Kakavijës efektivët antidrogë kanë gjetur një sasi prej 2.5 kilogramësh lëndësh narkotike e tipit kanabis sativa. "Vepra penale është kryer me dashje nga i pandehuri, me qëllim përfitimin material", pohoi dje prokuroi i çështjes. Në përfundim, prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të biznesmenit për veprën penale të "trafikimit të narkotikëve" dhe dënimin e tij me 4 vjet e 8 muaj burg. ar.ba