Policia sulm Dobjanit: Nxori sekretin e gjakmarrjes së ‘97
Dashamir Biçaku
Policia e Shtetit akuzoi dje Avokatin e Popullit për cenim të sekretit hetimor në një dosje për një hakmarrje të ndodhur në vitin 1997 në Shkodër. Përmes një deklarate për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e policisë tha se Avokati i Popullit dhe inspektorët e tij ndërhynë arbitrarisht në ambientet e policisë së Shkodrës te personat që merreshin në pyetje, për hetimin e një për gjakmarrjeje të ndodhur në vitin 1997. Policia ka akuzuar Avokatin e Popullit se ka identifikuar personat dhe dëshmitarët që merreshin në pyetje nga policia, duke i bërë të ditura publikisht inicialet e tyre dhe duke dëmtuar kështu jo vetëm hetimin, por edhe duke cenuar sigurinë e qytetarëve në fjalë. Sipas reagimit të policisë, hetimi po kryhej për një ngjarje të ndodhur në vitin 1997, ku një person ishte vrarë për motive gjakmarrje. Për këtë ngjarje të ndodhur më tepër se 10 vite më parë, Policia e Shtetit kishte rinisur hetimet me qëllim zbardhjen e saj dhe vënien përpara organeve të drejtësisë të personave të dyshuar. Sipas policisë, Avokati i Popullit, gjatë komunikimeve me median, ka bërë të ditur emrat e personave që po merreshin në pyetje duke nxjerrë në këtë mënyrë sekretin hetimor të ngjarjes. Më tej policia ka pohuar se në momentin kur Avokati i Popullit ka ndërhyrë në ambientet ku kryhej procesi i marrjes në pyetje të dëshmitarit, ai po pyetej konform të gjitha rregullave nga oficerët e policisë. "Avokati ka ndërhyrë arbitrarisht, duke ndërprerë procesin e hetimit, dhe duke marrë në pyetje oficerët e policisë gjyqësore, dëshmitarët e ftuar për t'u pyetur etj", tha policia. Pas inspektimit, në një komunikim me mediat, Avokati i Popullit ka dhënë publikisht të dhëna mbi karakteristikat e dëshmitarëve. Kjo sipas policisë bie në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale dhe "Detyrimin për ruajtjen e sekretit hetimor". Sipas akuzave të policisë, Avokati i Popullit, ishte informuar mbi statusin dhe çështjen konkrete për të cilën po merreshin në pyetje dëshmitarët e thirrur. "Në gjykimin tonë, rasti i Shkodrës, është deformuar dhe me tej politizuar duke u trajtuar si sulm ndaj institucionit të Avokatit të Popullit. Qëndrimet dhe konsideratat e bëra publike nuk janë rezultat i vlerësimit të paanshëm e objektiv në raport me ligjin, i rrethanave në të cilat ka ndodhur incidenti", thuhet më tej në deklaratën e policisë. Një javë më parë, Avokati i Popullit denoncoi një rast të ushtrimit të dhunës, sipas tij, nga policia e Shkodrës ndaj një personi që ishte thirrur për t'u marrë në pyetje për një dosje hetimore të vitit 1997.
OSBE: Padia ndaj Dobjanit, gabim i rëndë
TIRANE - Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Robert Bosch e cilësoi dje një gabim të rëndë padinë e bërë pak ditë më parë ndaj Avokatit të Popullit. Deklarata erdhi pas një takimi që ambasadori Bosch ka konsumuar me Avokatin e Popullit Ermir Dobjani. "Avokati i Popullit është një institucion i pazëvendësueshëm dhe ne e mbështesim fort, sikundër dënojmë fort çdo akt dhune. Padia kundër Avokatit të Popullit është një gabim i rëndë. E vlerësojmë punën e policisë, por here pas here bëhen gabime dhe ajo duhet kontrolluar", u shpreh Bosch pas takimit. Ndërsa Dobjani nga ana e tij dënoi kallëzimin e bërë nga policia e Shkodrës për institucionin që ai drejton. "Kjo padi është pa asnjë shans, por unë kërkoj dënimin e këtij veprimi, i cili në rast se do të kthehej në precedent do të dekurajonte mjaft ekspertët e Avokatit të Popullit në ushtrim të detyrave të tyre funksionale për të inspektuar dhe kontrolluar komisariatet e policisë", tha Dobjani. ar.ba