E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, brenda vitit

Meta

Shqiptarët do të përfitojnë liberalizimin e vizave brenda vitit 2010. Të paktën sipas ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta, afatet për këtë proces janë të sigurta dhe se ato tashmë presin realizimin e formaliteteve teknike. “Absolutisht është plotësisht e sigurt se Shqipëria dhe shqiptarët do ta fitojnë liberalizimin e vizave brenda këtij viti, pikërisht për shkak të këtij progresi të jashtëzakonshëm që është bërë në të katër blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, u shpreh numri dy i qeverisë. Më shumë sesa një lajm, pohimi i djeshëm i Metës është një rikonfirmim i premtimeve elektorale të bëra nga Kryeministri Sali Berisha që gjatë fushatës së shkuar. Nga ana e tij, zëvendëskryeministri ia ka veshur këtë sukses të pritshëm arritjeve dhe realizimeve të qeverisë në plotësimin e kritereve politike, por edhe atyre teknike. Numri dy i qeverisë ka dhënë një sqarim edhe rreth mungesës së Shqipërisë në darkën e organizuar nga Presidenti amerikan, Barak Obama, me drejtuesit e ish-vendeve komuniste që aktualisht janë në NATO. “...Shqipëria praktikisht nuk ka lidhje me kontekstin e asaj që do të realizohet atje dhe dua të siguroj se marrëdhëniet e Shqipërisë, edhe nga vizita ime e fundit në SHBA, janë të shkëlqyera”, u shpreh ai. Ndërkaq, “Top Channel” citonte dje një burim të ambasadës amerikane në Tiranë, sipas të cilit mungesa e Shqipërisë lidhet me faktin se darka e organizuar nga Obama ka në vëmendje kryesisht Europën Lindore dhe atë Qendrore. Gjithsesi ky argument nuk shpjegon se përse në këtë aktivitet do të marrë pjesë edhe një vend si Kroacia, që të paktën gjeografikisht nuk bën pjesë as në hapësirën e Europës Qendrore, por as atë Lindore.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›