E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sollaku: “Armëmbatja pa leje mund të dënohet edhe me gjobë”

02/05/2005  Ndryshon urdhëri, prokurorët duhet të klasifikojnë rrezikshmërinë e të akuzuarit për shoqërinë

Ndryshon urdhëri i brendshëm i Prokurorit të Përgjithshëm, rreth personave që kapen me armë të cilat i mbajnë pa leje. Disa javë më parë, është ndryshuar urdhëri i brendshëm i firmosur prej tij afro një vit më parë, për veprën penale të amrëmbajtjes pa leje. Ai firmosi urdhërin të cilin ua përcolli gjithë eprorëve të prokurorive të rretheve në vend, ku përcaktonte se çdo prokuror duhet të kërkojë para gjykatës, dënimin maksimal të të akuzuarve për armëmbajtje pa leje. Masë kjo që varjonte nga gjysma e dënimit maksimal, tre vjet e gjysmë burg deri në shtatë vjet. Urdhëri i Sollakut për vartësit, që këta të fundit të kërkonin dënim maksimal për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, u dha jo shumë kohë pas vrasjes së shoferit të tij, Genci Sinës. Por, disa javë më parë, duket se nga Prokuroria e Përgjithshme është lëshuar një urdhër tjetër për armëmbajtjen pa leje, ku prokurorët duhet të kërkojnë dënim maksimal, vetëm për ata persona që konsiderohen të rrezikshëm për shoqërinë. Ndërsa të lehtësohen rrethanat, për ata persona që nuk klasifikohen si të tillë. Sipas urdhërit të dytë, në raste si këto të fundit, kur kemi të bëjmë me persona të parezikshëm për shoqërinë, prokurori duke vlerësuar edhe rrethanat e tjera, mund të kërkojë edhe gjobë.

Urdhëri II

Prokuroria e Përgjithshme ka firmosur një urdhër të dytë rreth veprës penale të armëmbajtjes pa leje, që iu është prezantuar edhe vartësve në të gjithë vendit. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se që kreu i akuzës ka disa javë që ka firmosur një urdhër të ri për armëmbajtjen pa leje, duke ndryshuar atë të vendosur rreth një vit më parë, ku kërkohej marrja e masave më të ashpra ndaj të pandehurve. Burimet sqaruan se ky ndryshim i urdhërit u është bërë i njohur të gjithë eprorëve të prokurorive të rretheve. Mësohet se në urdhërin e ri të ndryshuar, është parashikuar kërkesa e dënimeve maksimale të parashikuara në ligj nga ana e prokurorisë, vetëm në ato raste kur i pandehuri konsiderohet si person i rrezikshëm për shoqërinë. Burimet sqarojnë se për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, urdhëri i parë i firmosur nga Sollaku, për dënimin të paktën me tre vjet e gjysmë, do të kërkohet vetëm për ata persona të akuzuar, që kanë pasur edhe më parë precedentë penalë. Ose për ata persona që u kapet arma e zjarrit pa leje, ndërsa ata tentojnë të kryejnë një vepër tjetër penale, duke dëmtuar qytetarët. Burimet sqarojnë se në rastet e tjera, kur personat konsiderohen si të parrezikshëm për shoqërinë, mund të aplikohet që prokuroria të kërkojë gjobë. Kjo, pasi ka persona që mund ta mbajnë armën aksidentalisht, apo për vetëmbrojtje, thonë burimet. Tjetër faktor që ka ndikuar në ndryshimin e këtij ligji, është edhe fakti se adoleshentët mund ta mbajnë armën pa leje me vete edhe për kuriozitet. Dhe nëse nga hetimi konkludohet se ata nuk përbëjnë rrezik për qytetarët, mund të aplikohen dënime edhe më të lehta, sqarojnë burimet.

Urdhëri I

Rrethë një vit më parë, kryeprokurori Sollaku, firmosi një urdhër ku u diktonte vartësve të tij, që të kërkonin masa sa më të ashpra dënimi para gjykatës, për personat e akuzuar për armëmbajtje pa leje. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme, thanë atëherë se ky urdhër ishte i nevojshëm, pasi ishin shtuar rastet e plagosjeve dhe vrasjeve ordinere e të çastit në kryeqytet e rrethe. Kjo, pasi kishte mjaft persona që lëviznin lirshëm rrugëve me armë zjarri të cilat i mbanin pa leje. Dhe shkak për këtë gjendje sipas prokurorisë, ishin bërë masat e lehta të dënimit që jepeshin ndaj të akuzuarve për këtë vepër penale. Atëherë u urdhërua që çdo prokuror të kërkonte të paktën gjysmën e masës së dënimit të parashikuar në ligj, për të pandehurit për armëmbajtje pa leje. Kjo masë që dënimi që çdo prokuror ishte i detyruar të kërkonte para togave të zeza për të akuzuarit, varjonte nga tre vjet e gjysmë deri në shtatë vjet, pohuan atëherë burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme. Re.Kro

Urdhëri i parë u firmos pak kohë pas vrasjes së Genci Sinës

“Të gjithë prokurorrët të kërkojnë para gjykatës, të paktën dënimin tre vjet e gjysmë deri në shtatë vjet, për personat e akuzuar për armëmbajtje pa leje”. Ky ka qenë urdhëri i brendshëm i firmosur nga prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, në fund të vitit 2003. Lajmi atëherë u bë i ditur nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaronin se të gjithë prokurorët duhet të kërkonin këtë masë dënimi në gjykatë për armëmbajtjen pa leje, dhe nëse nuk vepronin kështu, ndaj tyre do të merreshin masa administrative. Urdhëri i brendshëm që u firmos nga Sollaku erdhi pak kohë pas ekzekutimit të shoferit të tij në qendër të Tiranës, Genci Sinës. Ky urdhër i brendshëm, sipas burimeve të atëhershme të akuzës, u dha pas rritjes së kriminalitetit në vend. Por disa javë më parë, një tjetër urdhër i brendshëm i kreut të akuzës, ka seleksionuar ata persona ndaj të cilëve duhet të kërkohen masa të ashpra dënimi për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Duke i lehtësuar ata persona që nuk konsiderohen si të rrezikshëm për shoqërinë, të paguajnë vetëm gjobë.

Prokuroria kërkoi 500 mijë lekë gjobë ndaj Ledio Ruçit për armëmbajtje pa leje

Duket se është aplikuar rasti i parë i urdhërit të ri të brendshëm, të firmosur nga Sollaku, për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Më datë 28 prill, Prokuroria e Tiranës, ka kërkuar para gjykatës, shpalljen fajtor dhe dënimin e Ledio Ruçit, djalit të deputetit të PS-së, Gramoz Ruçi, me gjobë 500 mijë lekë për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje” dhe 100 mijë lekë për “plagosje të lehtë”. Kjo pasi prokuroria e ka klasifikuar si person të parrezikshëm për shoqërinë dhe për shkak se nuk ka pasur të administruar si provë, pistoletën që pretendonte se e kishte përdorur Ledio Ruçi. Përfaqësuesi i organit të akuzës nuk ka paraqitur si provë pistoletën që pretendonte se e kishte përdorur Ledio Ruçi, pasi arma nuk ishte gjetur në vendngjarje. Dhe pikërisht, këtë hallkë të hetimit ka rrëzuar para togave të zeza avokati mbrojtës i Ruçit. Ky i fundit ka pretenduar se Ledio, natën e ngjarjes nuk ka patur armë dhe se gjatë zënkës ai ka mbetur i plagosur. Gjithashtu, edhe i plagosuri Artur Ceka, në cilësinë e dëshmitarit, ka pohuar para gjykatës se nuk e dinte se kush e kishte qëlluar me armë. Nisur nga këto fakte të servirura nga mbrojtja, gjykata ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë, duke e shpallur Ledio Ruçin të pafajshëm për të dy akuzat e ngritura ndaj tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›