E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Krenarin e kundërshtuan me dhunë”

 

Trazhgim Sokolaj

Pezullimi në letër i Krenar Ahmetit nga detyra e shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë, zyrtarizon përplasjen e Ministrisë së Brendshme jo vetëm me Prokurorinë që kërkoi masën ndaluese, por edhe me gjykatën e cila dha vendimin. Në një deklaratë zyrtare lidhur me çështjen “Krenar Ahmeti” që i referohet konfliktit që ka pasur shefi i Policisë Rrugore me një prokurorë të Krimeve të Rënda dhe bashkëshortin e saj, Ministria e Brendshme tha se nga hetimet e saj rezulton se qytetarët kanë kundërshtuar me dhunë zyrtarin e policisë. Lidhur me këtë fakt, ministria tha se, ka çuar dokumentet përkatëse në Prokurori duke kërkuar shqyrtimin e tyre sipas ligjit. Ndërkaq Krenar Ahmeti ndodhet ende në detyrë pavarësisht vendimit të dhënë nga Gjykata e Faktit për pezullimin e tij, pasi tashmë çështja ka kaluar në Apel.  Zyra e shtypit në Ministrinë e Brendshme, ka reaguar dje ndaj akuzave të Forumit të Avokatëve për Drejtësi në adresë të ministrit të Brendshëm për “cenim të pavarësisë së gjyqësorit, për shkak të letrës drejtuar Gjykatës së Tiranës në lidhje me çështjen e oficerit të policisë, kryeinspektor Krenar Ahmeti”. Më 8 qershor 2008, para se togat e zeza të shqyrtonin kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e Krenar Ahmetit nga detyra, ministri i Brendshëm ka dërguar një letër në Gjykatën e Tiranës, në të cilën ka bërë një karakteristikë dhe vlerësim në cilësinë e eprorit dhe punëdhënësit për titullarin e Policisë Rrugore të kryeqytetit. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve tri ditë më parë ndërsa dje Forumi i Avokatëve për Drejtësi, e kanë konsideruar letrën e ministrit si ndërhyrje dhe cenim në pavarësinë e gjyqësorit. “Sqarojmë se në bazë të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, ministri i Brendshëm ka përgjegjësinë ligjore të sigurojë eficiencën dhe efektivitetin e punës së Policisë së Shtetit dhe të kërkojë informacione dhe dokumente për kryerjen e detyrave të saj, në përgjithësi ose dhe në lidhje me ndonjë çështje të veçantë”, thanë burimet nga zyra e shtypit në Ministrinë e Brendshme. Sipas tyre, ligji i jep ministrit instrumentin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të ngritur me ligj të veçantë, si strukturë e pavarur, i cili gëzon atributet e Policisë Gjyqësore dhe ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
Krenari u dhunua
Duke iu referuar hetimeve të bëra nga shërbimet që kanë atribute të Policisë Gjyqësore në Ministrinë e Brendshme, zyra e shtypit e këtij institucioni sqaroi se, në fakt e gjithë ngjarja për të cilën akuzohet Krenar Ahmeti, nuk ka qenë gjë tjetër veçse kundërshtim me dhunë ndaj tij në kryerje të detyrës si dhe mosbindje e palës tjetër ndaj urdhrave të policisë. “Për rastin konkret, të cilit i referohet Forumi i Avokatëve për Drejtësi, në përfundim të hetimeve të kryera, rezultoi se kishim të bënim me veprime të kundërshtimit me dhunë ndaj punonjësit të policisë që kryen detyrën dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë, parashikuar nga nenet 236/2 dhe 242 të Kodit Penal, për të cilat ishin bërë edhe kallëzimet përkatëse”, pohoi Ministria e Brendshme. Sipas saj, rezultatet e këtij hetimi dhe vlerësimi i eficencës së punës së strukturës që drejton Krenar Ahmeti, i janë ofruar organeve gjyqësore për marrjen e një vendimi të drejtë, gjithmonë mbi bazën e provave dhe argumenteve ligjorë, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut. Ministria e Brendshme sqaroi më tej se, dërgimi i letrës së Bujar Nishanit në Gjykatën e Tiranës është kryer konform rregullave procedurale. “Në asnjë rast, informacioni i dërguar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk kërkon ndërhyrjen në pavarësinë e gjyqësorit. Ne shprehim keqardhjen për tendencat e keqinformimit të publikut, për më tepër kur këto bëhen në konflikt të hapur interesi”, vijoi më tej Ministria e Brendshme deklaratën e saj.

“Nishani cenoi pavarësinë e gjyqësorit”

TIRANE - Forumi i Avokatëve për Drejtësi reagoi dje në lidhje me letrën e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, dërguar gjyqtares që shqyrtoi kërkesën për pezullimin nga detyra të kreut të qarkullimit të kryeqytetit, Krenar Ahmetaj. Në një konferencë për shtyp të organizuar nga ky grupim i avokatëve u theksua: “Reagimi i ministrit Nishani është një formë e pastër e ndërhyrjes në punën e sistemit të drejtësisë nga aktorët e ekzekutivit në një kohë që në nenin 7 të Kushtetutës specifikohet fakti se pushtetet janë të ndara dhe të pavarura dhe e ushtrojnë veprimtarinë e tyre mbi parimin e balancimit ndaj njëri-tjetrit”. Më tej FAD i bëri thirrje ministrit Nishani të heqë dorë nga veprimet që cenojnë rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe të mundësojë ruajtjen e standardeve të funksionimit ndërinstitucional. Në fund, FAD përgëzon mënyrën e gjykimit të çështjes ndaj Ahmetajt, duke e cilësuar këtë rast si një precedent që duhet ndjekur nga të gjitha gjykatat për të siguruar respektimin e të drejtave të të gjithë personave të dhunuar nga funksionarët e administratës shtetërore në vend.                                       f.m.

2 kallezime
penale janë bërë në Prokurori lidhur me incidentin mes Krenar Ahmetit dhe prokurores e bashkëshortit të saj. Të dy palët kanë denoncuar për ndjekje penale njëra-tjetrën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›