Krans Montana, Strazimiri prezanton rezultatet e Ministrisë së Brendshme
TIRANË - Zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, drejtoi të premten panelin e çështjeve të sigurisë kombëtare, në ditën e dytë të Forumit te Krans Montanës, ku bëri një prezantim mbi reformën institucionale në Ministrinë e Brendshme. Ai pasqyroi luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe rezultatet e arritura. Në një paraqitje grafike, zëvendësministri përshkroi punën që po bëhet me regjistrin elektronik, si dhe prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit, të cilat së shpejti do të jenë në dorë të qytetarëve. Një rëndësi të veçantë iu kushtua edhe reformës legjislative dhe strukturore në Policinë e Shtetit, të cilat e kanë afruar Policinë shqiptare me homologet e tyre europiane. “Reforma rrënjësore në strukturat e sigurisë dhe rendit, të kryera gjatë dy viteve të fundit, ka qenë shumë e suksesshme. Rezultatet e strukturave kundër korrupsionit dhe krimit ekonomiko-financiar gjatë tremujorit të parë të vitit 2008 janë më të larta krahasuar me vitin 2007, gjë që tregon rritjen e forcës goditëse. Sektori i Krimit të Organizuar ka qenë sektori më aktiv dhe më produktiv në tremujorin e parë të 2008-s, duke qenë kështu më të frytshëm se në 2007-n, vit i cili ka qenë gjithashtu rezultativ”, - tha zëvendësministri i Brendshëm. Z. Strazimiri u shpreh se “motoja jonë është tolerancë zero ndaj krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti. Përsa i përket trafikut të femrave, dua të theksoj se nga ky trafik shikohet një ulje e numrit të femrave të raportuara si të trafikuara në vitin 2007. Duhet theksuar se veprat penale të trafikimit të qenieve njerëzore në të vërtetë janë ngjarje të ndodhura përpara disa vitesh, por të raportuara në këtë vit. Gjithashtu ka rritje forca goditëse kundër trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake, ku tremujori i parë i vitit 2008 ka qenë shumë produktiv në luftën kundër këtij krimit”. Një rol të rëndësishëm në paraqitjen grafike që bëri zëvendësministri zuri bashkëpunimi ndërkombëtar policor. Në këtë bashkëpunim të bien në sy operacionet e përbashkëta me policitë e vendeve europiane si me, Italinë, Gjermaninë, Anglinë etj.
17 Maj 2008