Vetëhelmimi i pestë brenda një jave
Rikthehet frikshëm fenomeni i vetëhelmimeve në Qarkun e Fierit. Gjatë javës së fundit, pesë persona kanë tentuar t’i japin fund jetës duke u vetëhelmuar. Ndërsa dy prej tyre kanë gjetur vdekjen, tre të tjerët kanë mbetur me pasoja për jetën.
Rasti i pestë i vetëhelmimeve gjatë javës së fundit u shënua mesditën e djeshme në rrethin e Lushnjës. Burime të Policisë së Lushnjës bënë të ditur se dje, rreth orës 13.30 është çuar në spitalin e qytetit 50-vjeçari Hajri Suka nga fshati Grabian. Burri është transportuar nga familjarët me një makinë të rastit, por jeta e tij në spital ka zgjatur vetëm 45 minuta, pasi në orën 14.15 minuta ka gjetur vdekjen. Mjekët thanë se vdekja është shkaktuar nga një intoksikim i rëndë i shkaktuar nga fostoksina.
Nga hetimet është mësuar se ai e kishte blerë fostoksinën (bar miu) në një farmaci bujqësore të fshatit para disa ditësh dhe e ka pirë mesditën e së premtes. Shkak i këtij rasti vetëhelmimi mësohet se ka qenë gjendja e rëndë ekonomike e familjes Suka, megjithatë policia po vijon hetimet.
Rasti i djeshëm shënon të pestën vetëvrasje në tri rrethet e Qarkut të Fierit, që nga e shtuna e javës së shkuar. Përpara një jave, një 51-vjeçar nga Mollasi i Mallakastrës tentoi të vriste veten me helm. Të martën, një grua 47 vjeçe nga Strumi humbi jetën dhe po këtë ditë një 30-vjeçare nga Marinza e Fierit i mbijetoi fostoksinës. Të mërkurën një 29-vjeçare nga qyteti i Fierit gëlltiti rreth 80 tableta nga tre lloje medikamentesh.