Humbi punën, hidhet nga kati i gjashtë
Një ish-punonjës banke i ka dhënë fund jetës, duke u hedhur nga kati i gjashtë i një pallati, në kushte të depresionit që mendohet se ka ardhur pas largimit nga puna. Musa Haka, 40 vjeç, i cili prej kohësh kishte ardhur nga Dibra dhe jetonte në Tiranë, e ka kryer këtë akt te shtëpia e nënës së tij. Ai ka qenë i mërzitur që në momentin që ka hyrë brenda, por e ëma e moshuar, e cila jetonte me vëllain tjetër të viktimës, nuk e ka menduar se ai do vetëvritej. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, pikërisht pranë pallateve “Almak”.
Paraditen e djeshme Haka ishte nisur nga rruga “Josif Pashko”, ku banon me familjen e tij, për të shkuar te nëna dhe vëllai që banojnë në adresën e lartpërmendur. Sapo ka hyrë brenda dhe është përshëndetur me nënën, ai i ka kërkuar t’i bëjë një çaj. Ajo ka nisur të bëjë çajin, ndërsa 40-vjeçari ka shkuar në banjë. Nëna, e cila ishte vetëm në shtëpi, ka pritur më kot që djali të dilte nga banja. Pas disa minutash ajo ka dëgjuar kalimtarët dhe ka dalë në dritare për të parë se çfarë kishte ndodhur, kur ka vënë re se pikërisht poshtë dritares së saj dergjej trupi i pajetë i të birit. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke mbuluar trupin e pajetë dhe ka marrë kontakt me nënën e viktimës, duke bërë të mundur edhe identifikimin e tij. Nga të dhënat hetimore mësohet se në kushtet e tronditjes së rëndë psikike ai është hedhur nga kati i gjashtë për t’i dhënë fund jetës. Sipas policisë, nuk përjashtohet edhe mundësia e vdekjes aksidentale, pavarësisht se nuk ka shumë shenja për të vërtetuar diçka të tillë. Një banor i lagjes ka treguar se e kishte parë 40-vjeçarin të dilte në pragun e dritares dhe të kapej për një moment tek antena që ndodhej aty pranë, por nuk dukej se po mundohej ta rregullonte atë. Nga ana tjetër, për pak kohë është pritur edhe bashkëshortja e tij, që punon në një ministri. Ajo ka treguar se vetëm pak kohë më parë i shoqi ishte larguar nga puna që kishte në një bankë në Tiranë. Ai po tentonte të gjente një punë tjetër, por ende nuk e kishte mbyllur këtë proces dhe kjo mendohet se e ka shtyrë drejt aktit të vetëflijimit.
Dy ditë më parë, papunësia shty drejt vetëvrasjes një 40-vjeçar nga Patosi, i cili u shpëtua nga policia pasi i kishte ngulur disa herë thikën vetes dhe po tentonte të hidhej nga tarraca e pallatit ku jetojnë prindërit e tij.