Vlorë, var veten në litar fëmija 12 vjeç
Një fëmijë 12 vjeç i ka dhënë fund jetës dje, duke u varur në litar në rrethana ende të paqarta. Ngjarja e rëndë ka mbetur ende e pazbardhur, duke lënë gjurmë jo vetëm te familjarët, por edhe te shokët e shkollës së viktimës, të cilët kanë pritur me habi lajmin për fatin e bashkëmoshatarit të tyre. Policia ka hetuar mbi ndonjë shqetësim që ka kaluar së fundmi djali, por ende nuk ka mundur të gjejë një shkak për shpjegimin e ngjarjes. Familjarët dhe bashkëmoshatarët e të miturit kanë mohuar kategorikisht që djali të kishte probleme. Ata thanë se djali shquhej për shkathtësinë e tij. Ishte i hedhur dhe nuk kishte lënë dyshime se kishte kaluar ndonjë shqetësim. 12-vjeçari Eldorado Ibro është gjetur i varur në një ndërtesë në ndërtim e sipër pranë banesës ku jetonte, në fshatin Dukat të Vlorës. Ekspertët e mjekësisë ligjore thanë se kishin konstatuar të gjithë elementët e një vetëvrasjeje, për të cilën i mituri kishte përdorur një litar plastik. Megjithatë, policia dhe prokuroria e Vlorës kanë nisur hetimet intensive për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, duke mos përjashtuar paraprakisht asnjë pistë.
#