E Diel, 1 Nëntor 2026

Rendi pas topit, mbytet në lumë fëmija

Ujërat e Drinit zhytin në rrjedhën e tyre një 12-vjeçar nga Lezha Mbytet në Drin Zef Marku, teksa përpiqej të kapte topin në ujërat e këtij lumi Lezhë

Kanë qenë duke luajtur në një kodër e quajtur edhe si “Kodra Nën Tereza”, por rënia e topit në lumin Drin i ka kushtuar jetën një 12-vjeçari nga qyteti i Lezhës. Sipas policisë, Zef Marku 12 vjeç është mbytur në lumë, ndërsa përpiqej të nxirrte nga uji topin së bashku me vëllain e tij më të madh. Duke qenë se i mituri dinte not dhe rrjedha e lumit nuk ka qenë e fuqishme, hetuesit kanë hedhur dyshimin se ai mund të ketë vdekur nga një atak kardiak në momentin e kontaktit me ujin e ftohtë. Por këto dyshime mbeten të konfirmohen nga ekspertiza mjekoligjore. Policia saktësoi se ngjarja ndodhi rreth orës 18.30 të mbrëmjes, kur Zef Marku dhe vëllai i tij u hodhën në lumë për të kapur topin. Djemtë kanë vrapuar dhe janë hedhur menjëherë në lumë. I madhi ka arritur të kapë topin, pa e vënë re se vëllai i vogël nuk doli më në sipërfaqe pas hedhjes në ujë. Fëmijët e tjerë kanë dhënë alarmin dhe kanë kërkuar ndihmë, por vogëlushi nuk është shpëtuar dot. Policia e Lezhës dhe banorë të lagjes janë futur në lumë, por nuk kanë mundur ta gjejnë trupin e 12-vjeçarit. Për të vazhduar kërkimet janë lajmëruar palombarët e RENEA-s, të cilët do të fillojnë sot në mëngjes kërkimet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›