E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet ushtaraku i Ministrisë së Mbrojtjes, tregtonte drogë

Antidroga sekuestron 687 gramë kanabis, që shpërndahej te Rruga e Elbasanit dhe në Qytetin Studenti Afrim Muçka kishte mbjellë hashash në ballkonin e shtëpisë me qira

Një ushtar profesionist, i cili shërbente te Ministria e Mbrojtjes, është arrestuar nga Antidroga, pasi dyshohet për shpërndarje dhe trafik të lëndëve narkotike. Ai është kapur me 687 gramë kanabis, ndërkohë që në ballkonin e shtëpisë me qira kishte mbjellë edhe bimë të tilla. Afrim Muçka është kapur paraditen e djeshme te Rruga e Elbasanit, kur po shpërndante drogën, kryesisht për adoleshentë.

Sipas të dhënave policore, prej dy javësh kishin marrë informacion se një 28-vjeçar shpërndante hashash për të rinjtë te Rruga e Elbasanit dhe në Qytetin Studenti në Tiranë. Menjëherë agjentët e Antidrogës janë vënë në ndjekje për identifikimin e tij. Pa kaluar shumë ditë, specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës kanë identifikuar të dyshuarin Afrim Muçka. Por, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, ka rezultuar se ai ishte ushtar profesionist, i cili punonte te Ministria e Mbrojtjes. Madje, duke përdorur funksionin që kishte, shpesh herë arrinte t’u shpëtonte edhe kontrollit të punonjësve të policisë, pasi prezantohej si koleg i tyre. Në këto kushte, Antidroga e kryeqytetit e ka mbajtur nën vëzhgim për disa ditë, duke zbuluar edhe qendrën e tij. Në të shumtën e rasteve, ai merrte katër ose pesë doza me vete dhe i takonte përdoruesit te Rruga e Elbasanit. Ndërsa mbrëmjeve ai takonte përdorues të tjerë, kryesisht studentë, në Qytetin Studenti. Kështu, sa herë dilte nga shtëpia, me vete merrte aq doza sa i duheshin për të shitur. Kështu ka vepruar edhe ditën e djeshme, kur në një aksion të shpejtë është ndaluar nga punonjësit e Antidrogës. Ata kanë ushtruar kontroll fizik ndaj ushtarit profesionit, të cilit i kanë gjetur me vete tre doza kanabis.

Policia tha se pas kontrollit u bë shoqërimi i tij për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke sjellë edhe arrestimin e tij. Ndërkohë, një grup tjetër pune ka shkuar për kontroll në banesën e tij, që ndodhet te vilat gjermane. Ai banonte në katin e dytë të një shtëpie private, që e kishte marrë me qira prej kohësh. Zakonisht, në banesë qëndronte i vetëm. Antidroga ka arritur që gjatë kontrollit të gjejë një sasi të konsiderueshme droge, e cila ishte ndarë në porcione dhe ishte bërë gati për t’u shitur. E gjithë lënda narkotike është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, por surprizat nuk kanë qenë deri këtu. Kur oficerët kanë dalë në ballkon, kanë vënë re një vazo, ku ushtari profesionist kishte mbjellë kanabis, me qëllim që ta prodhonte vetë dhe mos ta blinte te të tjerët. Sipas të dhënave, në përfundim u sekuestruan 687 gramë hashash dhe një bimë kanabis.

Burimet policore shpjeguan se sekuestruan gjithë provat e mundshme, ndërkohë që po punohet për identifikimin e personave të tjerë, të cilët kanë bashkëpunuar me ushtarin profesionist. Gjithashtu, i arrestuari për shpërndarje të lëndëve narkotike dyshohet se aktivitetin e tij kriminal e ka aplikuar edhe te kolegët, duke iu treguar kanabis. Ai mendohet se lëndën narkotike e sillte nga jugu i Shqipërisë, ndërsa një pjesë të vogël e prodhonte në banesën e marrë me qira.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›