E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Të rritet përgjegjshmëria qeveritare

Elbasan

Elbasan – “Koha kërkon një rritje të mëtejshme të përgjegjshmërisë së qeverisë”, kështu ka deklaruar kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaratat e të cilit mund të përkthehen si kritikë apo autokritikë e butë qeveritare në raport me zhvillimet e fundit politike në vend. Dje pasdite, në selinë e degës lokale Meta ka organizuar një takim partiak me përfaqësues të strukturave të kësaj partie për Qarkun e Elbasanit, ku nuk ka nguruar të flasë edhe për problemet social-ekonomike të vendit. “Kërkohet gjithëpërfshirje në reformën zgjedhore të vendit, me qëllim që t’u jepet fund kontestimeve zgjedhore”, ka vijuar Meta. Ai nuk ka mohuar stabilitetin ekonomik të Shqipërisë, por duke e përkufizuar se “nuk është në nivele të pritshme”, vendi ynë është i preferuar nga investitorët e huaj, ndaj duhet një bashkëpunim edhe më i zgjeruar, në mënyrë që të krijojmë stabilitet dhe besim tek ata, është shprehur Meta. Për sa i përket perfeksionimit të strukturave të kësaj partie për të qenë të gatshme në zgjedhjet e ardhshme vendore, Meta ka pohuar se do të analizojnë performancën e përfaqësuesve të pushtetit vendor, në mënyrë që suksesi i kësaj partie të jetë sa më i madh në zgjedhjet e radhës për pushtetin lokal. “Në këto zgjedhje, e ka mbyllur fjalën e tij Meta, LSI do të konkurrojë me dinjitet”, por pa shtuar nëse LSI do dilte e vetme në zgjedhje, apo në koalicion me PD-në, me të cilën është edhe në pushtet.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›