E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapiten Altin Lala do të mungojë ndaj Maltës

 

Jetmir Halilaj

Ndeshja në transfertë kundër Maltës më 11 shkurt e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2010, është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Kjo jo vetëm për faktin që kuqezinjtë kanë shanse të kualifikohen, por edhe për shkak se Malta cilësohet në grupin 1 si kundërshtari më i lehtë për t’u mundur, të paktën në letër. Në këtë sfidë mund të mungojë kapiteni Altin Lala, i cili pas operacionit në shpinë për shkak të një hernie diskale, ka gjasa të mos jetë i gatshëm. Ai ka filluar të stërvitet, por për shkak edhe të disa problemeve gripale dhe gjithashtu për shkak të një infeksioni të lehtë në stomak, përgatitjet fizike nuk kanë ecur me ritmin e duhur. Sipas uebsajtit “sueddeutsche.de”, Lala mund të jetë gati për të zbritur në fushat e lojës vetëm pas një muaji e gjysmë. Kjo do të thotë, se pavarësisht dëshirës së mirë të kapitenit, ka shumë mundësi që ai të mos jetë në gjendje të luajë kundër Maltës. Megjithatë, ka ende shpresa se shtatshkurtri shqiptar mund t’i thyejë parashikimet dhe të jetë në dispozicion të teknikut në ndeshjen e 11-shkurtit. Gjendja e kuqezinjve nuk është aspak shpresëdhënëse para kësaj sfide. Beqaj vazhdon të jetë i dëmtuar, ndërsa sulmuesit, Bogdani, Salihi, Kapllani e Berisha e mbyllën sezonin me një bilanc tejet negativ golash.
Fushatë kundër racizmit
Mesfushori shqiptar i është bashkuar fushatës “Hannover Open” që po organizohet nga bashkia e qytetit Hanover për të zhdukur diskriminimin ndaj të huajve, përcjell “Hannoverische Allgemeine Zeitung” të enjten. Fushata do të zgjasë katër javë, ndërsa do të përqendrohet më shumë në diskoteka dhe në klube të ndryshme, ku mblidhet rinia. “Ne nuk kemi marrë përshtypjen se gjërat po përmirësohen. Në muajt e kaluar shumë persona kanë ardhur dhe janë ankuar se nuk janë lejuar të futen nëpër diskoteka për shkak të ngjyrës së lëkurës. Ky është turp për Hanoverin”, ka thënë kryebashkiaku i qytetit të Hanoverit, Stephan Veil. Lala është një nga shumë të huajt që luajnë për këtë skuadër të elitës gjermane. Ndryshe nga qytetarët e rëndomtë, të huaj, Lala ka fituar reputacion të madh me skuadrën. Ai është pjesë e Hanoverit që nga vera e vitit 1998 kur kaloi nga Borusia Fulda si lojtar i lirë. Mesfushori 33 vjeç është njëri prej lojtarëve më të dashur të skuadrës, për katër vite ka qenë edhe kapiten i saj. Me Hanoverin ka kontratë deri në verë të këtij viti, mirëpo pritet ta rinovojë kontratën edhe për dy sezone, e më pas ta mbyllë karrierën si lojtar aktiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›