Trashëgimia kulturore, 25% më pak investime
Alma Mile
Mbrojtja e trashëgimisë kulturore, më së shumti asaj materiale, duket sikur është kthyer në një alibi të qeverisjes, për punën që po bëhet për zhvillimin e turizmit kulturor. Flitet pa fund për investime e projekte që do shpëtojnë trashëgiminë, por edhe do ndikojnë ndjeshëm për evidentimin e Shqipërisë si një vend turistik, por edhe për spote televizive, që do të shfaqen në rrjete të fuqishme televizive. Megjithatë, duket se të gjitha këto (përveç spoteve) janë fjalë, sepse në letër rezulton krejt tjetër gjë. Tashmë, në fillim viti, është zbardhur e gjithë lista e investimeve të Institutit të Monumenteve të Kulturës, për 2009-ën, objektet, ku do të ndërhyhet dhe shumat në lekë për secilën. Për këtë vit mësojmë se buxheti i akorduar është mbi 25% më i ulët se ai i një viti më parë. Buxheti i akorduar, prej rreth 153 milionë lekësh të reja është shpërndarë në 45-50 objekte, në të gjithë Shqipërinë. Më së shumti bëhet fjalë për restaurime kalash, apo qendrash arkeologjike, si kalaja e Tiranës, Gjirokastrës, Krujës, Beratit, etj. Zyra e shtypit të Institutit të Monumenteve të Kulturës thotë se në gjysmën e dytë të vitit do të ketë një shtesë fondi. Por duke marrë parasysh se viti 2009, është një vit elektoral dhe sido që të jenë rezultatet, do të ketë një ndërrim qeverish, atëherë ky shtim fondesh do të jetë në kalendat greke. Kjo ulje e pajustifikueshme fondesh ndodh në një kohë, kur nevoja për të ndërhyrë në objekte të trashëgimisë kulturore është emergjente. Mungon në listën e restaurimeve Voskopoja me kompleksin e kishave, që sipas specialistëve kërkon ndërhyrje urgjente, sidomos në restaurimin e pikturave murale. Madje në këtë listë zërash, mungon tërësisht investimi për afreskun. Nuk ka as ndonjë fond të posaçëm për banesat gjirokastrite, edhe pse kohët e fundit situata në to është rënduar. Disa syresh janë rrënuar, ndërsa të tjera rrezikojnë rënien në kategori (nga e para në të dytë...). Ndërkohë mësohet se nevoja për ndërhyrje është shumë herë më e madhe, por fatkeqësisht nuk është e qartë se cila është gjendja aktuale e monumenteve të shpërndara nëpër Shqipëri. Mësohet se ekspeditat informuese janë gjithnjë e më të rralla. Këtë e tregon edhe ndarja e buxhetit. Nëse ndër zërat e përcaktuar rezultojnë blerje pajisjesh e aparaturash, nuk shihet parashikimi i ndonjë fondi të posaçëm për zhvillimin e ekspeditave të këtij lloji. Qysh në diskutimin e projektbuxhetit për kulturën, u fol për një ulje prej 10-20% në kulturë dhe sigurisht edhe në trashëgiminë kulturore. Pati kundërshtime nga ana e deputetëve të opozitës, megjithatë duket se kjo nuk ka hyrë shumë në punë. Në faqen zyrtare, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka publikuar lajmin se gjatë muajve shkurt-prill, përgjatë 3 javëve, në rrjetin “Euro News”, kanali NR.1, do të transmetohet spoti publicitar “Promovimi i Turizmit në Shqipëri”. Po këtu mësojmë se realizimi dhe shfaqja e këtij spoti kushtojnë 170 mijë euro. Me këtë shumë sigurisht që mund të ishin shpëtuar disa objekte, megjithatë duhet thënë se promocioni është një armë shumë e rëndësishme në prezantimin e një vendi dhe zhvillimin e turizmit. Por nëse nuk investohet, apo nëse shkurtohen investimet, atëherë spotet publicitare do të joshnin, por në të njëjtën kohë edhe do të zhgënjenin turistët, duke e kthyer pas si bumerang gjithë reklamën e bërë në kanalet e njohura televizive.
Restaurime 2009
• Sahati i Tiranës
• Kalaja e Lezhës
• Kalaja e Tiranës
• Bazilika e re, Elbasan
• Mozaiku i Tiranës
• Kalaja e Beratit
• Kalldrëmi dhe ura e Gorricës
• Tavani i teqesë së Helvetive
• Pazari i Korçës
• Banesa e Vangjush Mios
• Kalaja e Peqinit
• Mozaiku i Arapajt
• Kalaja e Durrësit
• Kompleksi islamik i Xhermehallës, Delvinë
• Manastiri i 40 shenjtorëve
• Manastiri i Mesopotamit
• Rrënojat e Tragjasit të vjetër
• Pazari i Gjirokastrës
• Kalaja e Gjirokastrës (hidroizolimi)
• Kulla e Gjon Markagjonit dhe Bujanit
• Kulla e Nik Ndout, Theth
• Kalaja e Grazhdanit, Peshkopi
• Kisha e Shën Sotirit
• Banesa e Rexhep Lleshit
• Banesa e Elmaz Dezhgiut
• Fondi i ikonave të Muzeut Historik
• Portiku dhe manastiri, Apoloni
• Restaurim qendrash arkeologjike
• Restaurim fasadash
Publicitet në Euro News
Pas spotit në rrjetin CNN, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, njofton një tjetër fushatë promocionale, këtë herë në një tjetër rrjet televiziv. Kështu në bazë të informacionit të dalë në faqen zyrtare të MTKRS-së, “për 3 javë, gjatë periudhës shkurt-prill 2009 do të fillojë transmetimi i spotit “Promovimi i Turizmit në Shqipëri” në rrjetin “Euro News”, kanali NR.1, që në Evropë përfaqësohet nga një rrjet distribucioni prej më se 21 stacionesh televizive, me 169 milionë shikues në Evropë e më gjerë”. Kohëzgjatja e spotit është 30 sekonda dhe fondi limit për prodhimin dhe transmetimin e tij është 170 mijë euro.