“Ndarjen e Kosovës e synon vetëm Beogradi”
Deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pak ka akuzuar Beogradin se dëshiron ndarjen e pjesës veriore të Kosovës. “Çdo incident në Kosovë, shihet me sy të mirë në Beograd, pasi kryeqendra serbe dëshiron t’i përdorë këto incidente si një dëshmi se pavarësia e deklaruar nuk po funksionon”, ka deklaruar eurodeputetja gjermane. Sipas saj, serbët e Mitrovicës jetojnë nga mbështetja e Beogradit, i cili nuk e njeh qeverinë e Kosovës. “Kjo do të thotë se serbët nuk kanë interes që në veri të vendoset paqja, pasi duan të arrijnë qëllimin e ndarjes së veriut, gjë që nuk e dëshiron askush përpos Beogradit”, është shprehur Doris Pak për mediat gjermane. Deklarata e saj është mbështetur nga Kryeministri i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik. “Serbia në një moment është dashur të dalë me një qëndrim të qartë dhe të kërkojë veriun e Kosovës dhe mbrojtjen e trashëgimisë serbe në pjesën tjetër të Kosovës”, i ka rekomanduar Beogradit Kryeministri Dodik. Sipas tij, serbët duhet të tërhiqen në hapësirën e linjës së ndarjes dhe kjo të vendoset përgjithmonë. Dodik akuzoi bashkësinë ndërkombëtare, se e ka nënçmuar dhe e ka poshtëruar Serbinë me njohjen e Kosovës.