Kapiteni Cana: Luaj në mesfushë për të fituar
Nuk është e lehtë të zëvendësohen lojtarët me më shumë përvojë, por jo e pamundur. Shpresoj të kemi prurje nga Shpresat
Nga ndeshja e sotme me Maqedoninë, Lorik Cana do të jetë kapiteni i parë i kombëtares. Dhe si i tillë ka marrë përgjegjësinë për tu ardhur në ndihmë më të rinjve në mesfushë, aty ky mungesa e veteranëve ndihet më shumë. Për shkak të mungesave që kemi në mesfushë, unë do të luaj në këtë repart. Do të luajmë për të fituar dhe me shpirt luftarak, shprehet Cana në rolin e kapitenit.
Lorik, luajmë dy miqësore, por pa trajner?
Njeriu bën plane, por nganjëherë ato prishen. Këto dy miqësore ishin programuar që trajneri i ri ta niste punën herët. Nuk na ka ndodhur vetëm neve. Gjithsesi, ne jemi këtu për ta përgatitur ndeshjen sa më mirë me zotin Mustedanagiç, që e njohim shumë mirë. Me ndihmën e tij do të mundohemi që të luajmë një ndeshje dinjitoze. Pas miqësores me Maqedoninë do të shohim në ndeshjen tjetër në fund të shkurtit. Deri atëherë besoj se do ta kemi gjetur trajnerin.
Përveç trajnerit, mungojnë edhe disa veteranë, që e kanë mbyllur me kombëtaren?
Nuk është e lehtë të zëvendësohen lojtarët me më shumë përvojë dhe që kanë luajtur në ligat të forta. Por nuk është e pamundur. Shpresoj që të kemi prurje nga Shpresat dhe nga lojtarë të tjerë të rinj. Shqipëria ka për të pasur gjithmonë lojtarë. Ne, kur vijmë këtu, përpiqemi ta përfaqësojmë vendin në mënyrë sa më dinjitoze.
A ka motivim për këto dy ndeshje?
Kjo fjalë nuk ka sens. Motivimi për vendin tënd as që duhet të diskutohet, por ne mund të flasim për më shumë impenjim apo përqendrim. Për shkak të mungesave që kemi në mesfushë, unë do të luaj në këtë repart. Do të luajmë për të fituar dhe me shpirt luftarak.
A nuk do të ishte më mirë që në këto miqësore të luanin vetëm të rinjtë?
Është pak delikate si pyetje, sepse do të ishte më me vend nëse do të kishim trajnerin. Duke ditur që jemi pa trajnerin që do të na drejtojë edicionin e ardhshëm, do të mundohemi që të aktivizohen të gjithë, sepse të gjithë e meritojnë. Sa i përket anës teknike, vendos Xhemo.
Ka një lloj ftohjeje të tifozëve me kombëtaren edhe për shkak të mosrealizimit të marrëveshjes me Besnik Hasin?
Kjo është e vërtetë. Tifozët presin shumë dhe neve na intereson po kaq shumë mbështetja e tyre, sepse për ata luajmë. Kombëtarja mund të arrinte pak më shumë sesa arriti, prandaj edicioni i kaluar nuk ka qenë i suksesshëm. Mund të kishim mbledhur 3-4 pikë më shumë, por në asnjë mënyrë ekipi nuk ka dështuar. Tifozët na kanë mbështetur në Shqipëri dhe jashtë dhe e vetmja gjë që ekipi ynë garanton është se kur futemi në fushë, luajmë me zemër. Shpresoj që në të ardhmen të arrijmë më shumë edhe për tifozët.
Ju vjen keq që nuk erdhi Hasi trajner?
Unë dhe besoj të gjithë shqiptarët e prisnim me shumë dëshirë emërimin e Hasit. Kam folur me Besnikun para tri javësh, pasi e kam mik, dhe më tha se kishte shumë dëshirë për të marrë ekipin kombëtar. Ai dëshironte të njihte situatën brenda ekipit. Gjërat nuk shkuan ashtu siç e prisnim, por kjo nuk na takon neve. Federata dhe Besniku donin që kjo punë të mbaronte, por nuk e kanë pasur të gjithë situatën në dorë. Unë shpresoj që në të ardhmen të ndodhë ky bashkëpunim. Hasi vërtet nuk ka ndonjë eksperiencë të madhe si trajner, por punon jashtë.
Më mirë trajner shqiptar, apo i huaj?
Nuk di çfarë të them, nuk kam qenë kundër një trajneri shqiptar. Kushdo qoftë trajner, duhet të njohë mentalitetin tonë, mënyrën tonë të lojës. Pastaj, ne kemi për detyrë që tia bëjmë më të lehtë.
Shiriti i kapitenit kalon te ju. Do të thotë kjo më shumë përgjegjësi?
Përgjegjësi jo, pasi unë kam marrë shumë përgjegjësi për të udhëhequr ekipin kombëtar edhe kur kapiten ishte Lala, Skela apo dikush tjetër. Sjellja ime nuk do të ndryshojë aspak.
Batuta me Bogdanin
Cana dhe Bogdani luajnë në Serinë A, por gjatë përplasjes së fazës së parë Çezena-Lacio asnjëri prej tyre nuk ishte në fushë. Unë kam thënë që në fushën tonë shpresoj të ndahemi në paqe, thotë Bogdani, ndërsa përgjigjja e Lorikut është e menjëhershme: Në Romë nuk ka shanse të marrë pikë.