Kapitullon Policia e Shtetit, 26 të vdekur në 72 orë
Policia e Shtetit kapitullon pa asnjë kusht. Nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë që viktimat të shënoheshin në fushën e saj, edhe pse ngjarjet cilësohen si gabime dhe faje njerëzore dhe jo të policisë. Për fat të keq, në 72 orët e fundit në Shqipëri numërohen 26 të vdekur, të vrarë, të vetëvrarë dhe të aksidentuar. Për të gjitha viktimat policia është mjaftuar me zbardhjen e ngjarjeve, por jo me zgjidhjen e konflikteve e problemeve për ti parandaluar.
Nga mostra e Korçës që copëtoi një grua në 5 pjesë dhe e hodhi në plehra, tek aksidenti tragjik në autostradën e botuesit mediatik dhe mikut të familjes së kryeministrit Levan-Fier, që mori 4 jetë, sepse mungonte sinjalistika dhe siguria. Tre aksidente të tjera në fundjavë në Durrës e Korçë me po kaq të vdekur. Tre të vrarët në Mat në një sherr të vjetër pronësie dhe gjaku si mungesë e drejtësisë shqiptare dhe pasivitet i policisë.
Katër të vetëvrarë brenda një dite të së dielës në shkallë vendi për shkak të varfërisë, gjendjes ekonomike në Korçë, Krujë e Durrës. Gjashtë të tjerë që vdiqën mbrëmjen e së hënës në një aksident tragjik në kanionet e Skraparit në një rrugë ku as qerja nuk është sigurt, por që Ilir Meta e Sokol Olldashi bashkë me Berishën në kumtojnë përditë investimet në fshatra dhe asfaltimet, edhe pse ajo rrugë është vetëm 2 km nga Çorovoda. Edhe pse zonë turistike, asnjëherë nuk është investuar dhe kanë ndodhur disa aksidente të rënda në vite. Aksidenti i Tepelenës me një të vdekur mëngjesin e djeshëm. Krimi në familje në Mirditë po dje, ku nipi vrau xhaxhanë për pronësi. Por edhe tre të vetëvrarë të tjerë brenda ditës së djeshme në Durrës, Shkodër e Librazhd.
Policia mjaftohet duke thënë vetëvrasje në depresion, por e vërteta është se janë vetëvrasje për shkak të mentalitetit, varfërisë, sjelljes së shtetit, papunësisë dhe problemeve që nuk i zgjidh dot qeveria. Dhe për të mos vazhduar më tej tek zjarret që kanë djegur gjysmën e vendit me dëme kolosale në pasuri kombëtare, apo grabitjet me mesatare nga një çdo ditë në banesa, biznese dhe banka, me terrorizimim të qytetarëve.
Kurse kryepolicit të vendit i mjafton miqësia e ngushtë me kryeministrin, kryeparlamentaren, ministrin, ish ministrin tani kryebashkiak dhe lustrat e ambasadorëve. Sigurisht, se të kesh karrierë ruajtjen e objekteve, do merresh me ruajtjen e kostumit./ama-news/