E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për buxhetin e vitit 2009



Buxheti i vitit 2009 është buxheti më i madh i realizuar deri më sot me një nivel rekord prej 383 miliardë lekë shpenzime, kryerja e të cilave synon të konsolidojë zhvillimin e ekonomisë. Ai është dy herë më i madh se buxheti i vitit 2004 dhe 50% më i madh se buxheti i vitit 2006. Ai materializon programin e mazhorancës për zhvillimin e vendit si dhe plotëson premtimet që PD-ja bëri gjatë fushatës elektorale të vitit 2005. Në baze të buxhetit të vitit 2009 qëndrojnë arritjet ekonomike gjatë viteve të qeverisjes së koalicionit të djathtë si dhe reformat e ndërmarra në ekonomi dhe sistemin politik dhe shoqëror. Buxheti i vitit 2009 mbështetet veçanërisht në realizimet e mira të ekonomisë gjatë vitit 2008 ku Shqipëria u shqua jo vetëm për performancën e mirë fiskale, por u vlerësua si një nga dy vendet më reformatore për krijimin e klimës së favorshme ndaj biznesit si dhe u rendit midis 10 vendeve të para për suksesin e luftës ndaj korrupsionit. Gjatë vitit 2009 parashikohet që rritja ekonomike vjetore të ruajë trendin e viteve të mëparshme dhe të mos bjerë nën nivelin 6%, kurse inflacioni të jetë në kufirin 3%. Të ardhurat parashikohen të arrijnë në 334 miliardë lekë kurse shpenzimet në rreth 384 miliardë lekë. Të ardhurat do të zënë 28.2%, shpenzimet 32.4% dhe deficiti buxhetor 4.2% të prodhimit të brendshëm bruto. Rritje do të kenë të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar me 0.3 për qind të PBB-së, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin me 0.1 për qind të PBB-së, të ardhurat nga akcizat me 0.3 për qind të PBB-së, si dhe të ardhurat nga pushteti vendor me 0.2 për qind të PBB-së. Në vitin 2005 u mblodhën 204 miliardë lekë të ardhura ose 58 miliardë lekë më shumë se në vitin 2001. Në vitin 2009 do të mblidhen 130 miliardë lekë më shumë të ardhura se në vitin 2005. Gjatë katër viteve të fundit të qeverisjes socialiste të ardhurat u rritën respektivisht me 9, 13, 17 dhe 20 miliardë lekë çdo vit. Gjatë katër viteve të qeverisjes së djathtë të ardhurat u rritën me 25, 23, 49 dhe 31 miliardë lekë për çdo vit. Shtesa në rritjen e të ardhurave është më shumë se dyfishi i shtesës së realizuar në periudhën 2001-2005, duke qenë kështu një tregues i qartë i suksesit të zbatimit të taksës së sheshtë. Rritja në mbledhjen e të ardhurave është kryer në kushtet e uljes së ndjeshme të taksave. Gjatë periudhës 2006-2008 tatimi mbi fitimin u ul nga 25% në 10%, tatimi mbi biznesin e vogël u përgjysmua, taksa e punës u zvogëlua me një të tretën, taksa e korporatës u ul 2.5 herë, norma e taksës mbi të ardhurat personale u ul 2.3 herë dhe taksa doganore është ulur 3 herë. Buxheti i vitit 2009 mban parasysh prioritetet e shpallura nga mazhoranca e djathtë në programin e saj qeverisës. Në vitin 2005 shpallëm si prioritet rritjen e pagave dhe pensioneve, por në veçanti dyfishimin e pensioneve të ulëta në fshat. Në qytet pensioni mesatar të mos jetë më i vogël se 100$ si dhe dyfishimin e pagave në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë. Në vitin 2005 pensioni në qytet ishte 8350 lekë. Me rritjen që do të bëhet në maj 2009 pensioni në qytet do të jetë 12402 lekë ose rreth 50% më i lartë duke plotësuar premtimin që në qytet të mos ketë pension më të vogël se 100$; në vitin 2005 pensioni në fshat ishte 3630 lekë. Me rritjen që do të bëhet në maj 2009 pensioni në fshat do të jetë 7308 lekë ose dy herë më i lartë; në vitin 2005 paga mesatare mujore e punonjësve buxhetorë ishte 27336 lekë. Me rritjen që do bëhet në maj 2009 ajo do të jetë 46682 lekë ose 71% më e lartë; në vitin 2005 paga mesatare mujore për punonjësit e arsimit ishte 23100 lekë. Në muajin maj 2009 ajo do të jetë 46609 lekë ose dy herë më e lartë; në vitin 2005 paga mesatare mujore e infermierëve ishte 15044 lekë. Në muajin maj 2009 ajo do të jetë 31420 lekë ose dy herë më e lartë; në vitin 2005 paga mesatare e mjekëve ishte 21000 lekë. Ne muajin maj 2009 ajo do të jetë 42520 lekë ose dy herë më e lartë. Rritja e mësipërme e pagave është rritje reale, pasi niveli mesatar i tatimit mbi të ardhurat personale është ulur rreth 2.3 herë, kurse inflacioni vjetor gjatë tri viteve të fundit të marra së bashku, ka qenë rreth 8-9%. Në vitin 2009 për funksionin e arsimit do të shpenzohen rreth 50 miliardë lekë ose 92% më shumë fonde sesa u shpenzuan në vitin 2005. Gjate tri viteve të fundit në sektorin e arsimit janë shënuar rezultate në drejtim të futjes së internetit në shkolla; universitetet u hapën për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të ndjekin një ose më shumë degë të shkollës së lartë; u dyfishuan investimet duke u ndërtuar mbi 300 shkolla të reja dhe u rikonstruktuan mbi 459 shkolla ekzistuese. Këto rezultate janë në kontrast me financimet e dhëna këtij sektori në periudhën 1997-2005 kur shpenzimet për arsimin zbritën nga 3.5% të PBB-së në 2.6% të PBB-së. Gjatë vitit 2005 për sektorin e shëndetësisë u shpenzuan 21 miliardë lekë. Gjatë vitit 2009 për këtë sektor do të shpenzohen 33 miliardë lekë ose 60% më shumë fonde të cilat synojnë të mbështesin skemën e re të financimit të shëndetësisë nëpërmjet grantit dhe kostos së shërbimit. Prioritet i buxhetit të vitit 2009 do të jetë financimi i zhvillimit rural. Në vitin 2005 bujqësia mori gjithsej 4.9 miliardë lekë, në vitin 2009 ajo do të marrë 7.3 miliardë lekë vetëm për financimin e programeve të zhvillimit. Gjatë vitit 2009, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të investojë 80 milionë $ në rrugët rurale. Një paketë tjetër prej 100 milionë $ është në fazën e përfundimit të negociatave me donatorë të huaj. Në zhvillimin rural gjate tri viteve janë investuar në rreth 2200 km rrugë, 650 ujësjellës, 330 sisteme kanalizimesh të cilat janë ndërtuar ose janë në proces përfundimi. Gjysma e fondit të shkollave të reja dhe rikonstruksioneve, dhjetar qendra shëndetësore, kopshte dhe çerdhe janë kryer në zonat rurale. Në sistemin e vaditjes janë investuar mbi 15 milionë $ sikurse është subvencionuar në vreshtari, pemëtari dhe blegtori. Me fondet e buxhetit të vitit 2009 do të fillojë për t’u vazhduar në shume vite të tjera projekti kombëtar i mbjelljes së 20 milionë rrënjë ullinj në zonën e ulët dhe kodrinore të Shqipërisë. Gjate vitit të ardhshëm do të vazhdojnë reformat në fushën e decentralizimit. Në vitin 2005 pushtetit vendor i transferoheshin në formën e grantit rreth 5 miliardë lekë. Në vitin 2009 do të transferohen rreth 21 miliardë lekë ose katër herë më shumë, duke përmbushur premtimin për katërfishimin e fondeve në dispozicion të pushtetit vendor. Viti i ardhshëm do të vazhdojë të jetë vit i investimeve publike, veçanërisht në sistemin rrugor të Shqipërisë. Rreth 90 miliardë lekë do të përdoren në investime publike ose dy herë e gjysmë më shumë fonde se në vitin 2005. Gjatë vitit 2009 do të përfundojnë ose do të jenë pranë përfundimit punimet në rrugën Fier-Vlorë, rrugën e Arbrit, rrugën Plloçë-Korçë, rrugën e bregut në të gjithë segmentet e saj, do të vazhdojnë punimet në rrugët Valbonë-Bajram Curri, Levan-Tepelenë, Shkodër-Hani i Hotit, Konispol-Sarandë, Sopot-Kam-Krumë, Kukës-Has, do të fillojnë punimet në segmentin Qafë-Plloçë – Qukës si dhe një numër rrugësh të tjera dhe nyjesh të rëndësishme. Viti 2009 do të jetë viti i një pune masive që do të çojë drejt përfundimit rrugën Durrës-Kukës. Do të punohet intensivisht për përfundimin e punimeve në të gjitha segmentet e këtij objekti si dhe në tunel. Me investimet që do të realizohen gjatë vitit 2009 Shqipëria do të jetë e mbuluar me një rrjet cilësor rrugësh të cilat lidhin portet e vendit me zonat urbane me kapacitete që të përballojnë nevojat e zhvillimit për të sotmen dhe të ardhmen. Buxheti i vitit 2009 do të jetë vazhdim i konfirmimit të objektivit për t'u bërë pjesë e strukturave euroatlantike. Buxheti i mbrojtjes në vitin 2009 do të jetë për të dytin vit me radhë 2% e PBB-së, duke plotësuar një nga kriteret më të rëndësishme të anëtarësimit në NATO. Në buxhetin e vitit 2009 janë parashikuar masa për të përballuar influencat e mundshme nga jashtë mbi ekonominë tonë. Qeveria ka parashikuar 16 miliardë lekë në formë kontigjence të cilat do të mund të përdoren në situata të vështira. Gjate vitit të ardhshëm do të mund te përdoren edhe rreth 200 milionë $ që do të arkëtohen nga privatizimet e ARMO-s dhe OSSH-së. Viti 2009 do të jetë viti i përmbushjes së programit katërvjeçar të Partisë Demokratike dhe koalicionit të djathtë. Këto vite mbyllin fazën e një ekonomie në tranzicion dhe shënojnë fillimin e periudhës kur do të na duhet të përballemi me problemet e një ekonomie që synon të zhvillohet.

*Kryetar i Komisionit të Ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›