Kapllani: “Dukemi si Arsenali, por duhet festuar me gol”

Një i huaj që bujt në hotel "Adriatik" dhe shikon futbollistët e kombëtares në holl, do të mendojë se ka të bëjë me një seleksion të Arsenalit, pasi uniformat që mbajnë veshur lojtarët janë plotësisht të ngjashme me ato të "topcinjve" londinezë: bluzë e kuqe me më mëngë të bardha.
Kombëtarja furnizohet nga amerikania "Nike", teksa në grumbullimin e fundit, atë në Gjermani, ku kombëtarja u ndesh me Poloninë, përfaqësuesja e vishej e mbathej nga anglezja "Umbro".
"Na rijnë bukur vërtet", - thotë sulmuesi i Karlsruhes, Edmond Kapllani. "Dukemi bukur, por duhen inauguruar me një fitore. Edhe me një gol nga unë? Do të ishte fantastike", - shton golashënuesi më i mirë i eliminatoreve të fundit për Euro 2008, durrsaku që arriti të shënojë jo vetëm 5 gola, por të vendosë edhe rekordin për numrin më të madh të golave gjatë një edicioni. Madje ish-lojtari i Partizanit është dhe autori i golit të fundit të kuqezinjve në rang kombëtaresh, teksa shënoi golin e vetëm në humbjen 6-1 me Rumaninë, pavarësisht se ka shënuar edhe në miqësoren të fituar 3-1 kundër klubit zviceran të kategorisë së dytë Shafhauzen.