Kapllani dhe Berisha, në stol edhe në Bundesligën II
Vazhdon momenti negativ për dy sulmuesit e Kombëtares, Edmond Kapllani dhe Besart Berisha. Pas qëndrimit në stolin e rezervave në barazimin 1:1 që Shqipëria arriti më 9 shtator përballë Danimarkës, të dy lojtarët janë përballur me të njëjtën situatë edhe në skuadrat ku militojnë. Kapllani nuk ka luajtur asnjë minutë në sfidën e Bundesligës II, ku Augsburgu barazoi me rezultatin 1:1 në fushën e Fortuna Dyseldorfit. Edhe pse kishte mundësi të kryente edhe dy zëvendësime të tjera, trajneri Luhukai nuk i dha asnjë shans 27-vjeçarit kuqezi, i cili duket se ende nuk është ambientuar me lojën e ekipit të ri. Në fakt, Kapllani ka luajtur vetëm një ndeshje në pesë javët e para të kampionatit. I njëjti diskutim vlen edhe për Berishën, i cili është lënë gjatë gjithë kohës në stol nga trajneri i Arminias, Gershtner, në fitoren 2:0 me Rot Vajs Ahlen. Deri më tani, 24-vjeçari, që gjatë verës u transferua në Bielefeld nga klubi i Premierligës angleze, Bërnli, ka luajtur vetëm dy ndeshje si zëvendësues.