E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapllani, i bindur: Ky do të jetë sezoni im

Edmond Kapllani ka shënuar 10 gola nga 51 të tillë që ka realizuar skuadra e tij Karlsruhe në gjashtë ndeshjet e fundit. 

JETMIR HALILAJ

 Ky është një tregues i mirë për bomberin e përfaqësueses shqiptare, i cili është i bindur se sezoni i ardhshëm do të jetë krejt ndryshe për të. "E ndjej që do të jetë sezoni im. Jam në formë të shkëlqyer dhe po punoj shumë që të vazhdoj me këto ritme edhe kur të fillojë kampionati", ka thënë sulmuesi 26-vjeçar, për Panorama ".
Keni shënuar dhjetë gola në gjashtë ndeshje. Një fillim i mirë, apo jo?
Sigurisht që është një fillim i mirë, por më e vështira vjen tani, sepse duhet të ruaj këtë ritëm edhe gjatë muajve të ardhshëm, sepse vetëm kështu mund të luaj si titullar.
Nuk doni të përsëritet sezoni i kaluar...
Vjet gjërat rodhën çuditshëm. E nisa shumë mirë, ashtu si edhe tani, por më pas për shkak të disa episodeve, situata më doli nga kontrolli dhe sa më shumë kohë kaloja në stol, aq më tepër mërzitesha dhe humbisja besimin në vetvete. Ishte një periudhë e vështirë, të cilën ndoshta nuk arrij as vetë t'i jap një shpjegim të saktë, por jam i bindur se nuk do të përsëritet më.
Trajneri është i njëjti, rivalët tuaj në ekip gjithashtu, nuk kanë ndryshuar, çfarë ju bën të ndiheni kaq i sigurt në vetvete?
Sezoni i kaluar, me-gjithëse i vështirë, ishte edhe një mësim i mirë për mua. Arrita të kuptoj se nuk duhet të neglizhoj për asnjë moment dhe duhet të jap gjithnjë maksimumin. Duhet të shfrytëzoj maksimalisht mundësitë e mia në çdo moment. Përveç kësaj, ndihem shumë më i sigurt në vetvete, sepse e di mirë se si duhet të veproj. Trajneri gjithashtu, më vlerëson shumë dhe më ka lënë të kuptoj se nëse vazhdoj kështu, do të jem i pari në listën e zgjedhjeve të sulmit. Nuk mund të shpjegoj gjithçka me fjalë, por e ndjej se ky do të jetë sezoni im. Kam të njëjtën ndjesi me atë që kisha para se të ngjiteshim në Bundesligën 1, ku unë shënova 17 gola. Përveç kësaj, jam edhe në një formë të shkëlqyer fizike dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Edhe vjet ishit shumë mirë fizikisht....
Po, por vitin e kaluar u krijuan ca situata, të cilat ndoshta edhe unë vetë i nënvlerësova. Kishte ndeshje kur nuk isha në ditë të mirë dhe duke menduar se mund të rikuperoja gjithçka në ndeshjen tjetër, nuk sakrifikoja. Në këtë periudhë mjaftoi që shokët e mi të sulmit të shënonin disa gola dhe më pas të humbisja vendin e titullarit. Kjo nuk ka për të ndodhur më, sepse tani jam gati të jap gjithçka në fushë.
Gjatë kësaj kohe a keni pasur oferta nga ekipe të tjera?
Po, ka pasur disa klube, që kanë hyrë në bisedime me skuadrën, madje edhe jashtë Gjermanisë. Krerët e klubit më pyetën nëse doja të qëndroja dhe unë ua bëra të qartë se nuk kam ndërmend të largohem. E përsëris edhe njëherë: dua të tregoj te Karlsruhe se mund të shënoj shumë gola edhe në Bundesligën 1. Dikush nga pjesëtarët e stafit më tha se sezoni i dytë në Bundesligën 1 është më i vështirë se i pari, por mua më pëlqejnë sfidat. Për më tepër që më duket se këtë radhë ka edhe diçka personale, në kuptimin që dua patjetër të tregoj se kush jam. Ka edhe diçka tjetër përsa i përket merkatos, edhe trajneri Beker i kërkoi klubit me ngulm që unë të mos largohesha dhe kjo është një shenjë vlerësimi nga ana e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›