E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për sportin, debate të ashpra në kuvend

Qeveria ka propozuar të hënën në parlament ndryshime në nenin 31 të ligjit të sportit. 

"Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tillë, në të kundërt jepen me koncesion, në përputhje me ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006. Për koncesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni", ishte propozimi i qeverisë. Kjo ka ngjallur debate të ashpra dje në parlament, pasi opozita e ka cilësuar këtë si një propozim të pavend, pasi kështu fushat e sportit do të përfundojnë në destinacion për ndërtim pallatesh. "Ligji ka lidhje me trojet e ndërtimit", akuzoi Braçe kryeministrin në sallën e Kuvendit. "Ky ligj hedh hije të rënda dyshimi nëse terrenet sportive do të ekzistojnë, apo jo pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Propozimi ynë është konkret, meqenëse ky projektligj nuk e fut sportin në treg, ai të kthehet mbrapsht për t'u diskutuar sesionin tjetër", tha Braçe. "Nëse bëni një propozim të tillë, - iu drejtua deputeti Pandeli Majko kryeministrit, - a dilni garant se nuk do të ketë ndryshim të destinacionit të këtyre fushave sportive?" I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Sali Berisha. "Qeveria ka zero tagër në Tiranë, sepse qeveria e Tiranës jeni ju. Se çfarë do të bëjnë pronarët me territoret e tyre, këtë e ka për kompetencë Bashkia e Tiranës dhe jo qeveria. Ju keni shënjestër tjetërkund dhe jo mua", iu drejtua kryeministri Berisha deputetëve të opozitës. Nuk ka qenë në të njëjtën linjë me kryeministrin edhe deputeti, Dashnor Sula. "Zgjidhja është vetëm privatizimi i klubeve sportive. Për terrenet sportive sigurisht t'u kthehen ish-pronarëve, ndërsa për stadiumet jam kundër. Nëse nuk do të privatizojmë futbollin, nuk do të kemi zhvillim të tij. Ne duhet të bëjmë të pamundurën për një ligj të mirë për sportin. Nëse një stadium e merr ish- pronari, do të kemi konflikt me të gjithë qytetarët", shtoi deputeti demokrat. Deputetët e opozitës i kërkuan kryeministrit që të rishikojë edhe një herë çështjen e terreneve sportive në këtë ligj, dhe bashkë me deputetët e PS, kësaj nisme iu bashkua edhe LSI.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›