E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pse qeveria po zvarrit pensionet e ish ushtarakëve”

 Kërkesa që bien në vesh të shurdhër që prej gati 20 vjetësh. Fryma shpërfillëse më të cilën janë trajtuar ish ushtarakët nga të gjitha qeveritë e deritanishme,nuk ekziston në asnjë vend evropian. Dëm jo vetëm ekonomik por edhe moral. Problemi i statusit të tyre shtyhet e shtyhet vazhdimisht. Për rrjedhojë edhe pensionet po u zvarriten nga vendime qeveria  që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Edhe kur bëhet fjalë për të hartuar një ligj,ata përjashtohen nga grupi i punës. Në një intervistë për gazetën “Panorama”,Bajram Mana ish zëvendësministër i Mbrojtjes, aktualisht kryetar i degës së Aleancës së Ushtarakëve të Tiranës tregon të gjitha arsyet pse po zvarriten pensionet e ish ushtarakëve.Z. Bajram, ushtarakët vazhdimisht kanë ngulur këmbë për të drejtat në trajtimin ekonomik të tyre. çfarë u është mohuar dhe pse nuk zgjidhet ky problem?Gjej rastin t’ju falënderoj për këtë intervistë, e cila më jep mundësinë të shpreh disa mendime e të komunikojmë me lexuesit e gazetës “Panorama” për shqetësimet e ushtarakëve në rezervë dhe atyre në pension pleqërie. Shumë vite kaluan, shumë intervista e shkrime janë bërë, shumë protesta e demonstrata janë zhvilluar në Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Elbasan, Durrës, Fier etj., gjatë këtyre viteve të demokracisë, por zëri i ushtarakëve nuk është dëgjuar, nga asnjë qeveri e deritanishme e këtyre viteve të tranzicionit. Kryeministrat e ministrat kanë heshtur, duke u munduar të shuajnë kërkesat e drejta të ushtarakëve e familjeve të tyre për t’u dhënë atyre atë që meritojnë për shërbimin që kanë kryer me devocion e sakrificë të lartë në çdo cep të Atdheut. Goditja morale dhe ekonomike ndaj ushtarakëve ka filluar që në vitin 1992, kur filloi  reforma në ushtri. Shumë oficerë me nga një e dy akademi, me rezultate të shkëlqyera në punë, me aftësi të mëdha profesionale, organizuese e drejtuese, në kulmin e moshës për punë, i nxorën në rezervë, duke u hequr të drejtën e profesionit. Në kushtet e ekonomisë së tregut, oficerët nuk mund të futeshin aksioner si gjithë të tjerët nëpër uzina, fabrika etj. Ata nuk kishin dyqane që t’i privatizonin, nuk mund të hapnin klinika si mjekët, apo zyra projektesh si inxhinierët, as zyra avokatie si juristët etj. Jo se ishin të pa aftë, por i tillë ishte profesioni i tyre. Pikërisht për këto arsye qeveria duhej ta vlerësonte këtë shtresë e jo ta flakte në rrugë.Brezi i oficerëve që u nxorën në lirim, a në pension në vitin 1992 e deri në vitin 2000 është brezi më i goditur e më i vuajtur. Dhe qeveria na ka borxh për ta shlyer këtë dënim të madh moral dhe ekonomik që na ka bërë. Dhe ja sepse:Na hoqi para kohe të drejtën e punës e të profesionit;Për 4-5 vjet, që nga viti 1995- 1999,  nuk u trajtuam me asnjë qindarkë nga shteti;Repartet ushtarake, godina e troje nuk u privatizuan në favor të ushtarakëve, siç u bë në vendet e Lindjes, por iu dhanë civilëve militantë, duke i bërë me nga dy e tri prona. Për 4-5 vjet nuk u derdh asnjë qindarkë në sigurimet shoqërore për këtë kategori ushtarakësh, që do të ndikonte në shumën e pensionit të pleqërisë, megjithëse fondet ishin në Ministrinë e Mbrojtjes. Si rrjedhojë ky pesëvjeçar nuk iu njoh ushtarakëve si vjetërsi shërbimi, në bazë të statusit të ushtarakut;Shumë armatime e municione janë shitur dhe janë përfituar miliona e miliona dollarë, por askush nuk mendoi për të rritur pensionet e ushtarakëve. Ka edhe probleme të tjera, që nuk po zgjatem, por me të drejtë lindin një varg  pyetjesh:Ku vajtën gjithë këto para, që iu mbajtën ushtarakëve? Ku vajtën kontributet e tyre, që duheshin derdhur në sigurimet shoqërore? Ku vajtën të ardhurat e siguruara nga shitja e armatimit dhe municioneve të ushtrisë? Cili kryeministër e mori në shqyrtim këtë shkelje të madhe, që bëhet në institucionet e shtetit demokratik, në dëm të ushtarakëve?  Pse asnjë kryeministër nuk e zgjidhi këtë ngërç të madh ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Financave dhe Shoqatës së Ushtarakëve?Kjo masë oficerësh të disiplinuar, të përgatitur psikologjikisht e ushtarakisht për të shkuar në frontin e luftës, në rast se cenoheshin kufijtë e Atdheut, nuk e meriton këtë trajtim ekonomik diskriminues që u bëhet. Sot, një gjeneral, një kolonel a major, merr një pension pleqërie sa një pastruese rrugësh, madje dhe më pak, ndërkohë që kontributi i derdhur në sigurimet shoqërore është shumë më i madh.Ushtarakët u futën në atë kategori punonjësish me vështirësi pune e shërbimi. Mund të na thoni disa nga këto vështirësi dhe si kanë ndikuar ato në jetën e ushtarakut?Ushtarakët kanë qenë e vazhdojnë të jenë edhe sot në vështirësi pune e shërbimi. Vetë jeta ushtarake dhe rregulloret e privojnë atë nga shumë liri e të drejta, që gëzojnë qytetarët e tjerë. Nga kushtet e shërbimit, aty nuk mund të argëtojë si të tjerët, nuk mund të flejë kur të dojë, nuk mund të largohet për asnjë moment nga detyra se e pret gjyqi ushtarak. Këto kërkesa të rrepta edukohen te ushtaraku që në moshën e shkollës dhe e shoqërojnë gjatë gjithë karirës ushtarake. Sa male e kodra ka vendi ynë, atje kanë shërbyer e jetuar oficerët tanë, me vite. Ata mund të ktheheshin vetëm me leje në familje një herë në 15 ose 30 ditë. Përveç stërvitjes ditore prej tetë orësh, oficeri qëndronte në shërbim gatishmërie 3-4 ditë në javë. Një lëvizje e ushtrive të vendeve fqinj, do t’i gjente ushtarakët tanë në llogore me javë të tëra, në gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo agresioni të mundshëm. Në qoftë se viti ka 365 ditë kalendarike, ushtarakët kanë qenë në detyrë rreth 550 ditë pune.Do të kujtoj se civilët dhe intelektualët, e kishin tmerr kur inkuadroheshin në stërvitje ushtarake. Sepse stërvitja kishte vështirësi, që nuk i përballonin dot. Po oficerët tanë të mrekullueshëm, që e kishin stërvitjen të përditshme?!Stërvitjet alternoheshin dimër e verë. Një stërvitje që një vit zhvillohej në periudhë vere, vitin tjetër duhej të zhvillohej në dimër, në kushte dëbore e acari. Një stërvitje që sot bëhej ditën, të nesërmen duhej të zhvillohej natën. Stërvitjet s’kishin të mbaruar, sepse veç stërvitjes së efektivave, zhvilloheshin edhe stërvitjet me komandat e shtabet, deri te shkalla taktike-operative e strategjike, të Shtabit të Përgjithshëm.Për këto arsye ushtarakët dilnin në pension në moshën 55 vjeç dhe gëzonin status të veçantë nga shteti.Për funksionin e lartë që kam pasur në ushtri e në Ministrinë e Mbrojtjes, sa për kuriozitet do t’u tregoja lidhur me konkluzionet e një grupi studimi, që organizoi Drejtoria e Personelit, të përbërë nga mjekë,  ekonomistë, sociologë dhe drejtues kryesorë të personelit, për të nxjerrë jetëgjatësinë e oficerit. Grupi i studimit punoj tre muaj, duke verifikuar me statistika dhe nxori përfundimin se jeta mesatare e oficerëve ishte vetëm 59 vjeç,  ndërkohë që mesatarja në shkallë republike ishte 72 vjeç. Pra rreth 13 vjet më e ulët se mesatarja e jetëgjatësisë së popullit.Si i konsideroni ligjet që kanë dalë deri tani dhe në çfarë shkalle i plotësojnë ato kërkesat e ushtarakëve?Ne, ushtarakët, ankohemi e protestojmë se këto ligje nuk i plotësojnë kërkesat tona të drejta. është e pakuptimtë, kur ligjin për ushtarakët e bëjnë civilët, ndërsa ushtarakët si palë e interesuar, përjashtohen nga grupet e punës, ose thirren formalisht, duke mos marrë parasysh asgjë që ata kërkojnë. Vendosin civilët, ashtu si dëshirojnë ata. Deri tani kanë dalë 4-5 vendime e ligje nga qeveria dhe Kuvendi, të cilat bien në kundërshtim me njëri-tjetrin, duke i bërë të parealizueshme kërkesat e statusit të ushtarakut. Ato kanë krijuar një konfuzion të qëllimshëm, vetëm e vetëm që problemi i ushtarakëve të shtyhet nga viti në vit e të mos zgjidhet. Arsyeja është fare e qartë: Këta ushtarakë, që sot kërkojnë të drejtat e mohuara, kanë shërbyer në kohën e komunizmit. Ne shtrojmë pyetjen: Pse ky diskriminim bëhet vetëm për ushtarakë?! Po gjithë kuadrot dhe intelektualët e tjerë a nuk i shërbyen edhe ata me devotshmëri atij sistemi?! Po ushtritë e vendeve të tjera të Lindjes, që e kanë zgjidhur me drejtësi statusin e ushtarakut, a nuk i shërbyen edhe ata sistemit komunist?! Pse vallë, duhet të shajmë e mallkojmë historinë 50- vjeçare, e cila me të mirat e të këqijat e saj, gjithsesi mbetet një periudhë e lavdishme për popullin tonë dhe ushtrinë e tij, e cila buronte nga populli dhe i shërbente atij?Ju më pyesni për ligjet: Ligji më i disfavorshëm për ne ushtarakët, është ligji Nr. 9481, dt. 16.02. 2006. Ky ligj iu kundërvu ligjit Nr. 9418, dt. 20.05. 2005, të hartuar nga qeveria socialiste. Ligji Nr. 9481, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Sot, pas 3-4 vjetëve, doli një ligj tjetër, që nuk merr parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese.Kush guxon të mos e zbatojë, apo të ndryshojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në një shtet demokratik?! Po Presidenti i Republikës, si garant i shtetit ligjor e Kushtetutës, kur shkelen e nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, aq më tepër kur bëhet fjalë për të drejtat e ushtarakëve, si Komandant i Përgjithshëm i FA, pse heshtë?!Kohët e fundit është formuar Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë. A mund të na thoni ç‘përfaqëson kjo shoqatë, programi dhe objektivat e saj?Siç theksova, dozat e shqetësimit social dhe ekonomik të ushtarakëve, sa vijnë e po rritën dhe po bëhen të padurueshme, shpërthyese.Deri tani janë krijuar një numër shoqatash të ushtarakëve të liruar, apo në pension, janë rreth 15 të tilla, për llojet e armëve e shërbimeve të ushtrisë.Praktika e këtyre shoqatave e deritanishme tregon se duhet një bashkëpunim e unifikim më i mirë, duhet dhe një mendim me i specializuar e më autoritar për të parashtruar e kërkuar në një mënyrë sa më të organizuar kërkesat e ushtarakëve. Për këtë qellim u krijua kjo shoqatë.Në Aleancën Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë (AKUSH), bashkohen të gjitha shoqatat e tjera, duke ruajtur secila mëvetësinë e saj. Kryetarët e çdo njërës nga këto shoqata, bëjnë pjesë në kryesinë e përgjithshme të AKUSH-it. Kështu, ajo është gjithëpërfshirëse dhe merr për sipër të mbrojë të drejtat ekonomike e sociale të ushtarakëve e të çdo shoqate, në mënyrë të specializuar, pranë institucioneve qendrore të shtetit. Ajo drejtohet nga kuadro të lartë, intelektualë dhe me përvojë në fushën ekonomike, të ligjshmërisë, të organizimit e të drejtimit, në marrëdhëniet me publikun e në media.Që nga dita e formimit, me vendim gjykate,  drejtuesit e kësaj shoqate kanë pasur një aktivitet të ngjeshur në mbrojtje të të drejtave të ushtarakëve: kanë organizuar një debat televiziv me përfaqësues të qeverisë, të Ministrisë së Financave dhe të Sigurimeve Shoqërore, ku me kompetencë shprehën shqetësimet dhe sensibilizuan opinionin publik për drejtësinë e kërkesave të tyre. Kanë kundërshtuar ligjin e ri, në 19 çështje të rëndësishme, duke ia parashtruar Gjykatës Kushtetuese dhe morën pjesë në seancë për mbrojtjen e këtyre kërkesave në këtë Gjykatë, duke hedhur poshtë pikat e vendimit të Qeverisë. Jemi në pritje të vendimit, të cilin gjykata s’ka arsye që ta vonojë.Gjej rastin që nëpërmjet kësaj interviste, në emër të drejtuesve të AKUSH-it, t’i drejtohem zëvendëskryeministrit Z. Ilir Meta, që të shqetësohet për gjendjen e ushtarakëve në rezervë e pension dhe ta mbajë premtimin e dhënë gjatë fushatës elektorale se: në qoftë se vinte në pushtet, do ta zgjidhte, brenda një kohe të shkurtër, problemin madhor të ushtarakëve, të cilët kanë 20 vjet, që kërkojnë statusin e tyre.AKUSH, në bashkëpunim me të gjitha shoqatat e tjera të armëve e shërbimeve do të përshkallëzojë veprimet e saj në të ardhmen. Ajo, së shpejti, do të organizojë një aktiv, apo kuvend të madh dhe do të dalë me vendime përkatëse, për t’u dhënë fund padrejtësive, që u bëhen jo vetëm ushtarakëve, por edhe ndaj popullit e vendit. Ajo ngriti zërin ndër të parat lidhur me kufijtë detarë, ndërmjet Greqisë e Shqipërisë dhe kërkon transparencë të plotë nga shteti për këtë problem, që ka të bëjë me sovranitetin e vendit.Ne përkrahim pa rezerva kolonel Myslim Pashajn, prof. Pëllumb Xhufin, ish shefin e Shtabit të Përgjithshëm Veli Llakaj, si dhe ish zëvendësshefin e Shtabit të Përgjithshëm gjeneral Armand Vinçanin, për mendimet  e kompetencën e shprehur lidhur me këtë problem. Tani fjalën e ka Gjykata Kushtetuese, kush ka të drejtë.Në përfundim, për të qenë i sinqertë me ju e me lexuesit, dua të theksoj se kam pasur mendimin që Kryeministri, Z. Sali Berisha, ka qenë i keq informuar lidhur me trajtimin ekonomik të ushtarakëve të liruar a në pension. Kam menduar e besuar se po ta dinte mirë të vërtetën, i kishte të gjitha mundësitë e do ta kishte zgjidhur këtë problem. Por meqenëse koha për ta mësuar të vërtetën ka qenë e bollshme, mendimi im rrëzohet. Megjithatë, shpresa vdes e fundit!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›