Meningjiti, zbulohet rasti i dytë në Gjirokastër
Një vajzë e vogël 3-vjeçare nga Delvina është diagnostikuar me shkallën më të rëndë të sëmundjes. Pak shpresa për jetën
Mjekët s'kanë zbuluar ende origjinën e sëmundjes por dyshohet se ka ardhur nga emigrantët e Greqisë
GJIROKASTËR- Sëmundja e rrezikshme e meningjitit është zbuluar dje edhe në qytetin e Delvinës. Pas dy rasteve tepër të rrezikshme të Korçës, spitali i Gjirokastrës ka zbuluar dje rastin tjetër. Bëhet fjalë për një vajzë trevjeçare, e cila mësohet se është prekur nga shkalla më e rëndë e kësaj sëmundjeje ngjitëse. Kjo ka bërë që në spitalin e Gjirokastrës të përhapet paniku i infektimit të personave të tjerë nga kjo sëmundje. Nga ana tjetër, mjekët nuk japin shumë shpresa për jetën e vajzës së vogël. Por ata nuk janë në gjendje që të zbulojnë as prejardhjen e kësaj sëmundjeje të rëndë apo vatrën e infeksionit. Dyshimet e para tregojnë se vatra e infeksionit mund të mos jetë në vendin tonë por në Greqinë fqinje. Specialistët dyshojnë se sëmundja ka ardhur nga një fëmijë emigrante në Greqi që ka vizituar vendin tonë gjatë festave të fundvitit.
Rasti
Trevjeçarja Eljana Alinani, banuese në qytetin e Delvinës, është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal "Omer Nishani" në Gjirokastër mesditën e djeshme. Mbrëmjen e së shtunës ajo ishte çuar në spitalin e qytetit të Sarandës, pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe pasi është mbajtur përgjatë gjithë natës në këtë spital, nisur nga shenjat klinike dhe përkeqësimi është sjellë me urgjencë në Gjirokastër, në pamundësi për ta dërguar drejt Tiranës. Sipas mjekëve të Sarandës, të cilët kanë ekzaminuar rastin në fjalë, vajza kishte temperaturë, të vjella si dhe shfaqje të sëmundjes në lëkurë. Megjithëse, të gjitha shenjat klinike tregonin qartë se fëmija ishte prekur nga sëmundja e meningjitit, mjekët kanë kryer gjithashtu të gjitha analizat laboratorike, të cilët kanë konfirmuar gjithçka. Trevjeçarja ishte prekur nga meningo-koksemia, faza më e rëndë e sëmundjes së meningjitit. Qysh prej mbërritjes së saj në spitalin rajonal "Omer Nishani" vogëlushja është vendosur në karantinë në mjediset e repartit infektiv, ku po u nënshtrohet të gjitha mjekimeve të specializuara mjekësore, ndërsa gjendja e saj shëndetësore është e rëndë. Po kështu në terapi profilaktike janë vendosur edhe prindërit e saj.
Mjekët
Sipas mjekëve të spitalit rajonal "Omer Nishani" në Gjirokastër, gjendja e vogëlushes është e rëndë, pasi sëmundja është në fazën e fundit të saj. "Vogëlushja është sjellë mesditën e sotme nga spitali i Sarandës, ku kishte qëndruar për 12 orë me radhë. Në pamundësi për ta dërguar drejt Tiranës vajza është sjellë këtu, ku është nënshtruar të gjitha ekzaminimeve laboratorike, të cilat konfirmuan dyshimet tona, se është prekur nga meningo-koksemia. Aktualisht gjendja e saj është e rëndë dhe është e izoluar në karantinë, ku veç mjekëve dhe infermierëve nuk ka kontakte me askënd. Po iu nënshtrohet mjekimeve të specializuar dhe do të shohim në vijim. Edhe prindërit e saj janë duke marrë mjekime për profilaksi",- është shprehur Adrian Misha, mjek infeksionist, i cili është duke ndjekur rastin. Ndërkaq, ende nuk dihet se cila ka qenë vatra e infeksionit, por dyshohet të ketë ardhur nga Greqia. "Nuk kam informacion për vatrën, ndërsa nëna e vajzës thotë që edhe një fëmijë i ardhur për pushime nga Greqia ka pasur të njëjtat shenja",- ka theksuar më tej Misha.
Gjyshja
"Më thanë se ndoshta mbesa nuk jeton"
Jashtë spitalit, e vetme dhe duke qarë qëndron gjyshja e vogëlushes 3-vjeçare, Gjylistane Rokaj. "Tani më morën në telefon dhe më thanë eja se ndoshta nuk e gjen vajzën të gjallë", më thanë, rrëfen ajo me lot në sy. Janë shumë të pakta informacionet që ka, pasi askush nuk ka mundur ta sqarojë. "Më thanë që dje pasdite kishte pasur pak temperaturë dhe më pas i ishte mbushur trupi me pulla të kuqe. E kishin çuar në spital dhe ata e sollën këtu. Kaq di",- tregon ajo. Vajza trevjeçare, Eljana, është fëmija i vetëm i familjes dhe për fat të keq çifti Alinani nuk mund të sjellë në jetë të tjerë fëmijë. E. B
RASTI I PARË
Dy motra nga Pogradeci të sëmura me meningjit
Për herë të parë sëmundja e meningjitit është zbuluar në spitalin e Korçës më datë tre janar. Dy motra nga rrethi i Pogradecit, babai dhe një i afërm i tyre, kanë përfunduar në karantinë, pasi mjekët konfirmuan se ishin prekur nga meningjiti. Trëndafile Krasta, 25-vjeçe, dhe motra e saj, Esmaja, 22-vjeçe, janë mbajtur gjatë këtyre ditëve nën vëzhgim të rreptë e bashkë me to gjithë spitali. Fillimisht ka qenë vetëm njëra nga motrat Krasta, e cila ka shkuar si paciente me rekomandimin e mjekëve të Pogradecit. Në rekomandimin e tyre, mjekët e këtij qyteti e drejtuan drejt Korçës me dyshimin se ajo vuante nga sëmundja e leucemisë. Vetëm më pas, gjithçka ka ndryshuar. Mjekët kanë hedhur poshtë dyshimin për leucemi, kur motra tjetër e të sëmurës, që ka shkuar për të shoqëruar motrën e madhe, ka shfaqur të njëjtat shenja, duke ndryshuar menjëherë mendimin e mjekëve të spitalit të juglindjes. Në spitalin e Korçës, mjekët garantojnë se gjithçka është nën kontroll të plotë. Ndërkohë që bluzat e bardha i sheh duke punuar të veshur me maska, ndërsa dhe hyrja për në pavijonet e spitalit është rreptësisht e ndaluar. Ndërkohë është bërë edhe dezinfektimi i gjithë spitalit dhe në mënyrë të veçantë ambientin ku kanë qëndruar dy të prekurat nga kjo sëmundje që shkakton deri vdekjen e pacientit.
Sëmundja
Çfarë është meningjiti
Meningjiti paraqet inflamacion të cipave të trurit, që e mbulojnë trurin dhe palcën kurrizore. Mund të jetë i shkaktuar nga viruset ose nga bakteret. Meningjiti viral zakonisht është më i lehtë, ndërsa meningjiti bakterial paraqet infeksion serioz, që mund të mbarojë me vdekje, nëse nuk jepet shpejtë terapi antibiotike. Sipas mjekëve, sëmundja mund të paraqitet me temperaturë e lartë, dhembje të forta koke, shtangim të qafës, përgjumësi e shprehur ose shqetësim, refuzim i ushqimit, pamundësi që tu përgjigjet pyetjeve të parashtruara. Që të diagnostikohet meningjiti, mjeku duhet të bëjë punkcion lumbal: me gjilpërë hyn në shtyllën kurrizore dhe merr pakëz lëng. Lëngu ekzaminohet nën mikroskop, për prezencën e qelbit dhe baktereve dhe bëhet kulturë, që të shihet nëse ka ndonjë bakter dhe të përcaktohet lloji i bakterit. Trajtimi bëhet vetëm në kushte spitalore dhe përfshin dhënien e antibiotikëve dhe terapi tjetër mbështetëse.
Bino: Nuk kemi epidemi nga meningjiti
Rasti i fundit me meningjit i zbuluar në Gjirokastër ka alarmuar edhe Institutin e Shëndetit Publik. Kështu shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive pranë këtij institucioni, Silva Bino pohon se nuk kemi të bëjmë me epidemi të meningjitit. "Duke pasur parasysh që tre rastet nuk janë në të njëjtën zonë atëherë do të thotë se nuk kemi të bëjmë me epidemi",- thekson ajo. Ndërkohë Bino pohon se sot priten analizat përfundimtare për të vërtetuar saktësisht se fëmija 3 vjeçar është prekur nga meningjiti. Megjithatë ajo pohon se fëmija është rëndë dhe shenjat klinike tregojnë qartë se është prekur nga meningjiti. Gjithashtu ajo pohon se specialistët e shëndetit publik në Sarandë i kanë bërë me dije për situatën e fëmijës dhe se kanë qenë ata të parët që kanë njoftuar se kanë të bëjnë me meningjit.