Kapshticë, kapet çifti me 2,7 kg kokainë
Vajza 18-vjeçare, së cilës iu gjetën rreth 300 gramë heroinë në çantën e dorës, ishte studente në vendin fqinj
KAPSHTICË- Qeni i kufirit zbulon kokainë dhe heroinë në një autobus udhëtarësh të linjës Tiranë – Korçë - Selanik. Plot 2,7 kg kokainë dhe 300 gramë heroinë kanë rënë në duart e policisë kufitare në vendkalimin e Kapshticës në linjën Korçë-Selanik, ndërsa tre vetë janë vënë në pranga. Një studente 18-vjeçare, si dhe një 24-vjeçar të ulur në vende të ndryshme të autobusit janë kapur nga policia, ndërsa droga e fshehur prej tyre është zbuluar me nuhatjen e qenit të kufirit. Artiol Sula, Neada Kota dhe Asqeri Bebri janë të prangosurit e policisë nën akuzën e trafikut të drogës, ndërsa dyshohet se dy të rinjtëe kanë marrë drogën në qytetin e Korçës pikërisht nga 40-vjeçari dhe janë pjesë e të njëjtit rrjeti trafiku në itinerarin Shqipëri-Greqi. Duke menduar se situata e rënduar kaotike në Greqi do të sillte më shumë lehtësira për kalimin e drogave, të rinjtë kanë ndërmarrë një udhëtim krejt të zakonshëm për të mos rënë në sy, deri në momentin që janë zbuluar nga qeni i kufirit në anën shqiptare. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 në pikën shqiptare të kalimit në Kapshticë teksa dy të rinjve u janë gjetur së bashku 3 kg drogë e dyshuar e llojit kokainë dhe heroinë. Sipas të dhënave zyrtare të policisë kufitare në Kapshticë mësohet se Artiol Sula e kishte të fshehur sasinë e kokainës në bark, ndërsa vajza në çantën e saj të dorës. Zbulimi i drogës është bërë gjatë një kontrolli rutinë që është ndërmarrë nga forcat e policisë në kufi dhe pas rritjes së masave të saj të sigurisë fill pas situatës së rënduar në Greqinë fqinje ditët e fundit. Autobusi i linjës Korçë-Selanik është ndaluar për të kryer kontrollet e dokumentacionittë udhëtarëve që gjendeshin në brendësi të tij, si dhe të bagazheve të tyre. Por nuhatjae qenit të kufirit duket se ka shkaktuar një tension tek udhëtarët kur qeni është drejtuar tek vajza fillimisht dhe më pas te 24-vjeçari të cilët ndodheshin në pozicione të ndryshme në autobus. Policia menjëherë ka ushtruar kontroll ndaj dy të rinjve që kanë alarmuar qenin e kufirit, ndërkohë që është zbuluar dhe sasia e drogës. 18-vjeçares nga Korça, studente në Selanik, i është gjetur rreth 300 gramë heroinë, kurse 24 vjeçari, edhe ky banor i këtij qyteti, emigrant me dokumente të rregullta në Greqi, ku jetonte prej disa vitesh. Sula ka pasur të fshehur në bark rreth 2,7 kilogramë kokainë. Burime të policisë bëjnë të ditur se pas arrestimit në kushtet e flagrancës, të rinjtë kanë mohuar të kenë ndonjë njohje me njëri-tjetrin, ndërsa dyshohet që të dy të jenë pjesë e të njëjtit rrjet trafiku. Por ndërkohë policia ka vënë në pranga edhe Asqeri Bebrin, i akuzuar se u ka dhënë dy të rinjve drogën, të cilën më pas ata e kanë fshehur, teksa kanë hipur në autobusin e linjës. Destinacioni i drogës mësohet të ketë qenë qyteti i Selanikut. Tashmë policia është vënë në punë për të zbardhur mënyrën se si funksiononte ky rrjet ndërkohë që është zbuluar se 18-vjeçarja ka hyrë disa herë gjatë një kohe të shkurtër, çka të lë të dyshosh se ajo ka kryer dhe disa rrugë të tjera me sasi të vogla droge. Trafiku i drogës në mënyrë të vazhdueshme ka marrë goditje në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndërkohë që vetëm rreth një muaj më pare, një tjetër studente nga Korça, por në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, është arrestuar me një taksist me një sasi prej rreth 10 kilogramë heroinë në Kapshticë me destinacion të njëjtë si studentja 18-vjeçare, Selanikun.