E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapshticë, katër në pranga për 10 mijë lekë evazion

Arrestimet Doganieri dhe tre përfaqësues të një firme shmangën pagesat për 8 kv mollë

Një doganier është arrestuar nga policia në doganën e Kapshticës për favorizim të kontrabandës së frutave që vinin nga Greqia për llogari të një firme frigoriferike. Policia e Korçës ka arrestuar katër persona mes të cilëve edhe një doganier, për korrupsion pasiv dhe kontrabandë me mallra të tjerë. Në bashkëpunim me tre përfaqësues të një firme me aktivitet në Korçë, doganieri ka favorizuar fshehjen e peshës së vërtetë të mallit që vinte nga Greqia. Policia ka kryer arrestimin në flagrancë të katër personave kur trajleri që ka kaluar traun e doganës i ngarkuar me fruta është konstatuar se kishte shmangur nga deklarimi 800 kilogramë mall. Menjëherë është bërë arrestimi i doganierit Artur Kreka 49 vjeç, i pronarit të firmës Aurel Cyfeku dhe dy punonjësve Refat Organaj, 52 vjeç dhe Thanas Turtulli, 37 vjeç, njëri shofer i trajlerit dhe tjetri shoqërues i mallit. Burimet policore thonë se në bashkëpunim me doganierin përfaqësuesit e kësaj firmës së import-eksportit, kishin futur mollë kontrabandë nga shteti fqinj për t’iu shmangur detyrimit doganor. Edhe pse vlera e dëmit ka qenë e vogël dhe nuk i kalonte 10 mijë lekët, sipas burimeve policore, personat e arrestuar e kishin kryer këtë veprim edhe herë të tjera derisa janë kapur në kushtet e flagrancës. Policia bëri të ditur se kishte sinjalizime të mëparshme për kontrabandë të frutave nga Greqia që kryhej nga bashkëpunimi i tre përfaqësuesve të firmës me doganierin.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›