Kapshticë, rrjeti kompjuterik me defekt, përfitojnë të kërkuarit
Rrjeti kompjuterik në Kapshticë nuk funksion prej më shumë se 10 ditësh, situatë emergjente për policinë shqiptare. Ndërkaq duket se ditët e mira për të kërkuarit kanë ardhur, kjo për arsye se këta të fundit mund të kalojnë lirisht nga Shqipëria drejt vendit fqinj Greqi përderisa kërkimi i të dhënave të tyre është gati i pamundur ose mjaft i përciptë pasi rrjeti tashmë me defekt nuk mund të nxjerrë të dhënat që nevojiten.
Sportelet për hyrjet dhe daljet nga Shqipëria drejt Greqisë dhe anasjelltas nuk funksionojnë në pikën kufitare të Kapshticës në juglindje të vendit për afro dy javësh. Duke iu referuar të dhënave zyrtare pranë policisë kufitare të kësaj pike mësohet se problem në sistemin kompjuterik TIM që funksionon prej më shumë se 5 vjetësh në këtë pikë kalimi është i bllokuar përsa i përket regjistrimit dhe verifikimit njëherësh të shtetasve shqiptarë që hyjnë dhe dalin nëpërmjet këtij vendkalimi. Një problem teknik në qendrën e të dhënave të kryeqytetit shqiptar ka shkaktuar dhe konfuzion ndërsa punonjësit e policisë iu duhet të regjistrojnë hyrjet daljet në kufi me dorë, për të mos lënë jashtë kontrollit me qindra qytetarë që lëviznin nëpërmjet kësaj pike kalimi. Problemi më i madh bëjnë të ditura për gazetën të njëjtat burime lidhet me verifikimin e personave të dyshuar apo atyre të shpallur në kërkim, për të cilët në raste dyshimesh pyetet në mënyrë të drejtpërdrejtë Interpol Tirana, ose komunikohet e anë të postës elektronike. Gjithsesi kjo nuk është mënyra më e mirë dhe efikase, pasi lëvizjet janë të shumta dhe elementët keqbërës apo të kërkuar nga drejtësia shqiptare pohojnë të njëjtat burime për gazetën përpiqen që të lenë Shqipërinë, madje shpesh herë me dokumente të rremë, ose të deportuar nga policia e shtetit fqinj. Situata e paprecedent duket se është e rëndë dhe është e para e këtij lloji që ka një kohë kaq të gjatë që ka nxjerë jashtë funksionit kompjuterat në pikën kufitare të Kapshticës. Aktualisht pranë këtij vendkalimi në rrethin e Devollit janë në punë katër sportele dy për hyrjet nga Greqia dhe dy për daljet nga Shqipëria. Nuk dihet se për sa kohë do të vazhdojë kjo situatë, ndërkohë që hidhen dyshime që persona të shpallur në kërkim edhe mund të kalojnë, ndonëse policia shqiptare nuk dyshon për ndonjë rast konkret. Ndonëse për çdo shtetas shqiptar bëhet regjistrimi me shkrim madje dhe ndonjë verifikim në rast dyshimi kjo mbetet e cunguar për aq kohë sa dhe përgjigja që mund të vijë me anë të postës elektronike është e vonuar.