“Ndihmë Kosovës për vizat”
TIRANE - Përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave, në mënyrë që edhe Kosovës t'i paraqitet sa më shpejt udhërrëfyesi, ishte dje në qendër të bisedimeve mes ministrave të Brendshëm, Lulëzim Basha për Shqipërinë dhe Bajram Rexhepi për Kosovën. Duke marrë shkas edhe nga deklarata e Komisionerit të Zgjerimit të Komisionit Evropian, Fule, i cili u shpreh se Kosova duhet t'i referohet Shqipërisë për përmbushjen e kritereve kryesore për lëvizjen e lirë drejt vendeve të BE-së, ministri i Brendshëm Basha shprehu gatishmërinë e tij për mbështetje të plotë me kapacitete tekniko-profesionale. "Përvoja jonë do të ndihmojë Kosovën në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe ne shpresojmë që edhe Kosovës sa më shpejt t'i paraqitet udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave", u shpreh Basha. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, falënderoi ministrin Basha për gatishmërinë për të ndihmuar në këtë drejtim. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp Basha dhe Rexhepi shprehën gatishmërinë për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin edhe në fushën e luftës kundër krimit të organizuar.