E Diel, 1 Nëntor 2026

Karamanlis: Maqedonia kërcënim kombëtar

Maqedonia është një kërcënim kombëtar. Deklarata e fortë është e kryeministrit grek Kostas Karamanlis, e bërë vetëm pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme. Kryeministri ende në detyrë i është rikthyer konfliktit të emrit me Maqedoninë, pikërisht në një kohë aspak të përshtatshme për Shkupin, i cili tashmë ka probleme edhe me Bullgarinë e shqiptarët, për shkak të enciklopedisë skandaloze. Sipas Karamanlis, çështja e pazgjidhur e emrit, i ka thelluar tensionet mes dy vendeve. Një ditë më parë, mediat në Maqedoni raportuan se Presidenti Ivanov është shumë optimist për zgjidhjen e emrit.
Por Athina është shprehur e prerë se nuk ka ndërmend të pranojë emrin Maqedoni. Të njejtin qendrim ndan edhe pretendenti tjetër për kryeministër, kreu i PASOK –ut, Papandreu. Ky i fundit e ka bërë të qartë se nëse do të vijë në pushtet, nuk do të ndryshojë asgjë nga politika e qeverisë së tanishme në lidhje me Maqedoninë.
Por ndërsa me Maqedoninë, Athina po i ashpërson tonet, ndryshe po shfaqet me fqinjin tjetër, Turqinë.
Kryeministri Karamalis është shprehur se e mbështet kandidimin e Ankarasë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. E përsa u përket zgjedhjeve të 4 tetorit, sondazhet tregojne se Pasok vazhdon të kryesojë me 6 përqind ndaj Demokracisë së Re të kryeministrit Karamalis.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›