E Shtunë, 31 Tetor 2026

Madoff, si i mori 50 miliardë dollarë

Njoftimi i parë tronditës erdhi nga
lajmet. Në to thuhej se një nga fig
urat më të njohura e më të famshme
të Wall Street, Bernard Madoff, ishte
pikërisht njeriu që fshihej pas një
skeme të ashtuquajtur "Ponzi" (një lloj
skeme e përafërt me skemat piramidale,
ku investitorët e vjetër paguhen me paratë
që fusin investitorët e rinj. Kjo do të thoshte
me pak fjalë se mijëra investitorë, përfshi
edhe fonde financimesh, banka apo
dhe individë të pasur, që i kishin lënë
paratë e tyre në duart e Madoff, mund të
kishin humbur gjithçka në një aferë
mashtruese, që pa frikë mund të zinte
vendin e parë në historinë e mashtrimeve
në Wall Street. Pas përhapjes së këtij lajmi,
një fond bamirës në Boston kishte ndaluar
veprimtarinë, kishte pushuar të gjithë
punonjësit dhe shembullin e tij e ndoqën
edhe disa institucione të tjera që kishin
lidhje me Madoff. Por sigurisht që humbjet
më të mëdha pritet t‘i faturojnë
bankat e mëdha në Paris, Zyrih, Tokio
apo Londër. Tashmë emri i Bernie Madoff
është shndërruar në një "virus" të frikshëm
për financat dhe financuesit e
mëdhenj në të gjithë globin. Vetëm disa
banka me seli në Gjenevë, si dhe disa
fonde investimesh mendohet të kenë
humbur nga kjo aferë mbi 5 miliardë
euro. Madje edhe Nicola Horlick, e ashtuquajtura
"supergruaja" e financave
britanike, është goditur jo pak nga "virusi"
më i fundit i financave. Ajo kishte investuar
50 milionë euro me Madoff. Si
edhe shumë të tjerë të përcëlluar në këtë
zjarr, ajo s‘mund veçse të vjellë vrer ndaj
dështimeve të njëpasnjëshme të rregullatorëve
amerikanë, të cilët e kanë lejuar
një mashtrues si Madoff për vite të tëra
të operojë i qetë dhe i patrazuar. Dhe kjo
është më se e vërtetë. Me sa duket, zoti
Madoff dhe biznesi i tij nuk është shqetësuar
asnjëherë nga inspektorët e institucioneve
rregullatore. Vetë Madoff, 70 vjeç,
ishte një donator mjaft bujar i politikanëve
dhe madje një këshilltar i Komisionit të
Famshëm të Sigurimeve dhe Shkëmbimit
në lidhje me mënyrën e rregullimit të
tregjeve. Sipas lajmeve, ky komision nuk
ia kishte parë dokumentet "gjeniut" që
prej dy vitesh. Vetëm pas "plasjes" së bombës,
inspektorët i janë futur punës mes
dokumenteve të firmës së Madoff për t‘u
përpjekur të zbulojnë se çfarë shkoi keq.
Për këtë ekzistojnë shumë teori, por të
gjitha bëhen bashkë në një pikë të vetme:
Madoff ka mashtruar rëndë dhe për
një kohë të gjatë një numër të madh personash
dhe institucionesh financiare e
bankash. Ndër investitorët më në zë
mund të përmenden shumë emra të
shquar të botës amerikane si: Fred
Wilpon, pronari kryesor i "New York Mets",
skuadër bejsbolli; Norman Braman, një
shpërndarës i madh makinash në Florida;
apo Ezra Merkin, shefi i filialit financiar
të "General Motors". Carl Shapiro, një
filantropist nga Bostoni dhe ish-manjat i
veshjeve të grave, ka humbur të paktën
145 milionë dollarë në këtë aferë mashtruese,
e cila ka përfshirë në ciklonin e saj
disa nga individët më të pasur dhe të
famshëm të Shteteve të Bashkuara të
Amerikës. Por veç tyre janë shkatërruar
edhe njerëz të zakonshëm, të cilët kanë
menduar të shtojnë paratë e tyre për të
pasur një pleqëri të begatë dhe të qetë
nga ana financiare. Sigurisht, me këtë
gjëmë atyre do t‘u duhet të heqin dorë
nga ëndrrat e tyre. Sipas një burimi,
vetëm 30 investitorë të pasur mund të
kenë pësuar një humbje prej 1 miliard
dollarësh. Emrat e mëdhenj e të famshëm
të investitorëve ishin edhe marketingu
më i mirë i Madoff. Ai i përdorte
ata për të tërhequr peshq të tjerë të majmë
në qerthullin e mashtrimit. Për këtë
kishte punësuar disa agjentë, detyra e të
cilëve ishte vetëm krijimi i një aureole të
shndritshme përreth biznesit të tij. Madje
në shumë raste ai "refuzonte" investitorë
të ndryshëm, një taktikë kjo që t‘i
bënte ata t‘i luteshin për një vend në skemat
e tij. Prej kohësh Madoff ishte shndërruar
në një "magjistar" që admirohej jo
vetëm nga bota e biznesit, por kryesisht
nga të pasurit në përgjithësi. Ai ishte njeriu
i mrekullueshëm që arrinte t‘u jepte
10% fitime për paratë të cilat i përdorte
në skema të suksesshme investimesh e
transaksionesh bankare. Në klube të tilla
si "Country Club" në Florida, apo "Old
Oaks" në Nju Jork, disa e thërrisnin me
emrin "bondi hebre", sepse fondet e tij
të menaxhimit kishin përqindjen më të
madhe në treg. Shpesh ato paguanin 12%
në vit. Ai kishte edhe agjentë të tjerë apo
miq, të cilët e ndihmonin të krijonte lidhje
me pasanikët e Dallasit, Çikagos, Bostonit
e Mineapolisit. Në këtë të fundit mendohet
se humbjet mund të kapin shifrën
e 100 milionë dollarëve vetëm nga individë.
Por aq i besueshëm ishte bërë
"magjistari", sa edhe vetë agjentët e tij,
duke besuar verbërisht, kishin investuar
tek ai. Një nga taktikat e Bernie-t ishte
se ai kurrë nuk i nxiste njerëzit t‘i jepnin
para, madje ua refuzonte shumat e
mëdha dhe gjithmonë i rekomandonte
që të nisnin me sasi të vogla vitet e para
dhe më pas, nëse do të ishin të kënaqur,
mund të vazhdonin me shuma më të
mëdha. Një nga faktorët që ndikoi në
suksesin e Madoff ishte se pjesa më e
madhe e investitorëve individualë ishin
si edhe vetë ai: të pasur, të moshuar, hebrenj,
njujorkezë që e ndanin kohën e
tyre mes Nju Jorkut dhe Floridës. Madoff
dhe bashkëshortja e tij kishin një rreth
shumë të madh social, miqsh e shokësh,
që ishin të dhënë pas golfit dhe klubeve.
Çifti kishte tri apartamente të vetat në
qendër të tri qyteteve më të rëndësishme
të Shteteve të Bashkuara, si dhe një jaht
të madh në Bahamas. Madoff, një djalë
njujorkez, u përfshi në botën e financës
që në moshën 22-vjeçare. Me 5000 dollarë
të fituara nga një punë vere në plazh
ai iu fut rrugës së vështirë të bursës dhe
shumë shpejt u shndërrua në një individ
të suksesshëm dhe të pasur të komunitetit
hebre të Nju Jorkut. Ai ngriti fondacione
bamirësie e u bë edhe kryetari i
"Nasdaq". Madoff si person të jepte
shumë siguri dhe nuk të linte asnjë linjë
dyshimi. Ata që kishin investuar në fondin
e tij, e konsideronin veten me shumë
fat dhe pjesë të një sekreti magjik financiar,
çka pjesërisht ishte i vërtetë, veçse
jo për mirë. Sekreti ishte se strategjia investuese
e Madoff-it nuk kishte asgjë të
përbashkët me gjetjet gjeniale pozitive.
Ai ishte thjesht një mashtrues, që pas
fasadës së gjeniut të investimeve fshihej
një njeri i vogël, i ulur në një tavolinë plot
me letra, pa kompjuter e vetëm me një
makinë llogaritëse. Veprimtaria e tij ishte
thjesht një skemë "Ponzi", e quajtur
kështu sipas emrit të mashtruesit të famshëm
amerikan të viteve ‘20. Ajo do të zgjaste
për sa kohë do të kishte edhe investitorë
të rinj për t‘u futur me para e për të
shlyer interesat e investitorëve të vjetër.
Për sa u përket prokurorëve, atyre u duhet
ende të gjejnë se ku shkuan gjithë
paratë e grumbulluara dhe cila është sasia
e saktë e tyre, nëse ka mbetur ende
ndonjë kacidhe. Vallë, vetë "magjistari"
e ka kaluar kohën duke i shpenzuar ato
për vete, apo i ka humbur nëpër transaksione
financiare? Apo i ka futur të gjitha
nën shtrat? Në një rast si ky, çdo alternativë
tingëllon si një mundësi reale. Arrestimi
i Madoff-it në orën 08:30 të së enjtes
së kaluar nga agjentët e FBI-së, të cilët
kontrolluan gjithë apartamentin e tij në
Manhatan, erdhi vetëm disa orë pasi ai u
kishte treguar gjithçka dy djemve të tij,
Andrej dhe Mark. Mark, 42 vjeç, ndodhej
në krye të një dege të biznesit të të atit, po
ashtu edhe djali tjetër, Andrej, 40 vjeç. Sipas
avokatëve, asnjëri prej tyre, madje
askush nga familja nuk kishte dijeni në
lidhje me të vërtetën e financave të të zotit
të shtëpisë. Sipas prokurorëve, ai u kishte
thënë një ditë para arrestimit të bijve se
tashmë gjithçka kishte marrë fund dhe se
biznesi i tij s‘ishte gjë tjetër veçse një
gënjeshtër e madhe, një skemë gjigande
mashtrimi, të cilën ai e kishte çuar përpara
për vite me radhë. Por, pak pas arrestimit
ai është lënë i lirë, pas pagesës së 10 milionë
dollarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›