E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPEC: Ulje drastike prodhimi për hir të çmimit

OPEC-u ka paralajmëruar gatishmërinë e plotë edhe për një ulje të mëtejshme të sasisë së prodhimit të naftës, si masë për ngritjen e çmimit, i rënë ndjeshëm nga ulja e parë e kërkesës për arin e zi që prej dekadash. Plani u bë me dije përpara mbledhjes së sotme të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës. Është për t‘u nënvizuar se bëhet fjalë për uljen e tretë të prodhimit brenda një hapësire shumë të shkurtër kohore, ndërkohë që çmimi i naftës u soll rreth 45 dollarëve për fuçi gjatë ditës së djeshme.

Pakësimi i prodhimit me 2 milionë fuçi, i vënë në jetë gjatë këtyre muajve, nuk ishte në gjendje të ngrinte përsëri çmimin e arit të zi, i ulur me më shumë se 100 dollarë për shkak të rënies së kërkesës, një prej fenomeneve të shkaktuar nga recensioni që po përgjunj ekonomitë e së gjithë botës. "Na duhet një vendim shumë, shumë i fortë", u shpreh ministri i Naftës së Venezuelës, Rafael Ramirez. Pyetjes se në ç‘shkallë duhej ulur sasia e prodhimit, ministri iu përgjigj: "Mes 1 dhe 2 milionë fuçive në ditë".

Venezuela dhe Irani varen drejtpërsëdrejti nga fitimet e shitjes së naftës për të mbështetur programet ambicioze në vendet e tyre, ndërkohë që edhe vendet e Gjirit Persik kanë nevojë për çmime mbi 50 dollarë për fuçi për të pasur bilanc pozitiv.

Edhe Irani, nga ana e vet, kërkon pakësim drastik të sasisë së prodhimit. "Pakësimi i ndërmarrë së fundmi nuk mjaftoi për të ndryshuar prirjen e tregut për të ulur çmimin, kështu që jemi para nevojës për pakësim edhe më të fortë", tha për agjencinë "Reuters" një prej të deleguarve të Iranit në OPEC.

Dy milionë fuçi në ditë më pak do të qe ndërhyrja më e fortë në prodhim e grupit nga ku pompohet më shumë se një e treta e gjithë naftës që furnizon globin. Edhe prodhuesit e Gjirit Persik u treguan të gatshëm të ulnin prodhimin për të parandaluar krijimin e një sasie masive stoku karburanti. Ata kërkojnë ngritjen e çmimit te të paktën 75 dollarë për fuçi, që për Arabinë Saudite është edhe çmimi më i ndershëm. "Që të gjithë jemi në gjendje të vështirë. Për këtë arsye, duam që prodhimi të reduktohet me 2 milionë fuçi", tha një prej delegatëve të OPEC-ut. "Por i trembemi reagimeve".

Reduktimet e forta të sasisë së prodhimit janë të vështira të vihen në jetë, pasi kërkojnë disiplinë të fortë nga ana e të gjithë pjesëtarëve të OPEC-ut dhe nxjerrin në skenë akuza të ndërsjella për kuota të falsifikuara pas dyersh të mbyllura. Sipas të dhënave të përpiluara nga analistë të pavarur, të cituara gjatë raportit të përmuajshëm të OPEC-ut (të martën), u mësua se reduktimi ekzistent është respektuar vetëm për gjysmë, që do të thotë se pjesëtarët e organizatës nuk respektojnë marrëveshjen e përbashkët, por prodhojnë më shumë secili për hesap të vet.

Ekonomistët e sekretariatit të OPEC-ut në Vjenë gjithashtu arritën në të njëjtin përfundim me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës: etja e rruzullit për karburant do të pakësohet gjatë këtij viti dhe tjetrit që do të pasojë, gjë që ndodh për herë të parë që nga vitet tetëdhjetë.

OPEC shpresoi shumë edhe te mbështetja e vendeve të tjera prodhuese, që nuk bëjnë pjesë te ky organizëm, por në të shkuarën të gjitha llojet e bashkëpunimeve kanë qenë pak bindëse. Gjithsesi oferta nga prodhuesit jashtë OPEC-ut po tkurret për shkak të investimeve të munguara dhe shfrytëzimit të burimeve. Rusia, prodhuesi më i madh jashtë OPEC-ut, ka dërguar ministrin e Energjisë dhe një prej zëvendëskryeministrave në takimin e sotëm.

Bankat e mëdha botërore kanë parashikuar se çmimi mund të bjerë edhe në 30 dollarë për fuçi gjatë muajve të parë të vitit të ardhshëm dhe shumë prej vendeve prodhuese mendojnë se synimi prej 75 dollarësh për fuçi do jetë i pamundur të arrihet deri para fundit të vitit të ardhshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›