E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Votat të numërohen me skaner”

 

BLEDAR HOTI

Avokati i Popullit u kërkon partive politike që të mos përdorin në fushatat elektorale fëmijët. Gjatë raportimit të tij në komisionin parlamentar të Ligjeve, Emir Dobjani e cilësoi si një abuzim përdorimin e fëmijëve në fushata elektorale. “Kemi rekomanduar që fëmijët të mos jenë pjesë e fushatës elektorale, pasi është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare”, deklaroi Dobjani, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të LSI-së, Spartak Braho në lidhje me të drejtën që duhet t’u sigurohet shtetasve shqiptarë për të votuar. Dobjani nuk ka prekur temën e kartave të identitetit, por ka theksuar se institucioni që ai drejton ka luajtur një rol jo të vogël për pastrimin e listave të zgjedhësve. Avokati i Popullit, Dobjani theksoi gjithashtu se tjetër rekomandim për zgjedhjet, dhënë së fundmi edhe në raportin vjetor të paraqitur përpara Kuvendit. “Ne kemi propozuar që në procesin e numërimit të realizohet skanimi i fletëve të votimit për rezultatin e votimit. Kjo mund të futet në skanerët elektronikë për numërimin e votave. Mendoj se mund të përfshihen në ligjet e mëvonshme nga politika”, deklaroi Dobjani. Ai shtoi se e drejta e zgjedhësve për të votuar është një nga të drejtat themelore dhe nuk mund të mohohet. Ndërsa Dobjani, në komisionin parlamentar të Ligjeve ngriti me forcë çështjen e mos zbatimit të vendimeve të Gjykatës nga ana e Zyrave të Përmbarimit. “Për vendimet gjyqësore, në institucionin tonë vijnë ankesa për mos ekzekutim të vendimeve. Për ato çështje që vijnë te ne 200-300, pasi në ditë ka 5 mijë vendime gjyqësore, mendoj se ka neglizhencë, paaftësi të Zyrave të Përmbarimit. Por mendoj se ka edhe mos dashje në zbatimin e vendimeve të gjykatës. Mund t’ju përmend një rast të shtetasit, Rexhep Rama, 400 milionë lekë të vjetra që kërkonte 15 vjet të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Ai ekzekutim u realizua falë insistim të Avokatit”, tha Dobjani.
Punonjësit e Avokatit të Popullit gjatë vitit të kaluar kanë vizituar ambientet e burgjeve në Shqipëri, ku ka rezultuar numri i lartë i të burgosurve, mbi kapacitetin real të tyre. Sipas raportit, në këtë institucion janë drejtuar ankesa edhe për Prokurorinë, për moskryerjen si duhet të detyrës. Avokati i Popullit i ka rekomanduar Prokurores së Përgjithshme fillimin e hetimeve ndaj 4 prokurorëve të Prokurorisë së Tiranës. Ndërsa Bordi i Monitorimi të institucioneve të pavarura pranë Kuvendit, duke i bërë analizë raportit të paraqitur, thekson se mbi 44 për qind e ankesave të trajtuara janë jashtë juridiksioni të Avokatit të Popullit. “Raporti paraqet në mënyrë të detajuar me një set prej 400 faqesh. Edhe pse hedh dritë, në shumë prej ankesave vihet re se ka ngarkesa të panevojshme në informacion, konkretisht jepen korrespondenca të plota shkresore me disa institucione. Gjatë vitit 2008 janë përfunduar 2922 ankesa, nga të cilat ka rezultuar se 1292 ankesa, ose 44% e tyre janë qenë jashtë juridiksionit”, tha juristi i Bordit, Artur Baku. Sipas tij, numri më i madh i ankesave vijnë në adresë të Ministrisë së Drejtësisë. Në lidhje me këtë pretendim të ngritur, avokati Dobjani deklaroi se “institucioni ka si detyrim që të shqyrtojë këto kërkesa të qytetarëve dhe t’u ofrojë rrugët e zgjidhjes”. Pretendimi tjetër i ngritur nga ana e Bordit të Monitorimit, është mos pasqyrimi i donacioneve të marra nga ky institucion. Pretendim tjetër i ngritur nga ana e Avokatit të Popullit është mos ndryshimi i Kodit Penal, për të pasur të drejtën e argumentimit të vendimeve të formës së prerë, për nga pikëpamja e respektimit të drejtave të njeriut. “Ndërruam formën se si mund të bëhej rregullimi që Avokati i Popullit të zgjidhte dhe të pranonte ankesat kundër vendimit të formës së prerë. Nga deputetët dhe përfaqësues të Gjykatës së Lartë, pati një reagim negativ duke menduar se po i shtoheshin kompetencat Avokatit të Popullit. Kjo çështje edhe pse është ngritur disa herë nuk është pranuar. Ja kam nisur edhe Ministrisë së Drejtësisë dhe kam refuzimin me shkrim të ministrit për këtë çështje” - tha Dobjani. Ndërsa e ka cilësuar si mjaft preukopuese çështjen e paraburgimeve, duke kërkuar ndryshimin e situatës. Deputeti i PD-së, Eris Hoxha kërkoi që të rishikohet situata në paraburgime.

raporti i avokatit te popullit

    Gjatë vitit 2008 rezulton se nga Avokati i Popullit janë trajtuar 3278 ankesa

    Nga këto, 365 ankesa kanë kaluar për shqyrtim në vitin 2009

    Gjatë vitit 2008 janë përfunduar së shqyrtuari 2922 ankesa

    Avokati kërkon që tre raportet të shpërndahen në komisione dhe të mos mbeten në sirtar

    Avokati rekomandon që fëmijët të mos përdoren në fushata elektorale

    Avokati kërkon që të kryhet në të ardhmen numërimi i votave me anë të skanimit

    Avokati kërkon ndryshim të Kodit Penal për rishikimin e vendimeve të formës së prerë për zbatimin e të drejtave të njeriut

    Avokati kërkon botimin në Fletoren Zyrtare të akteve ndërkombëtare

    Bordi i Monitorimit pretendon se nga 2922 ankesa, 44 % e tyre, ose 1292 ankesa, kanë qenë jashtë juridiksionit

    Bordi kërkon të njihej me donacionet e dhëna

    Bordi kërkon që në raport të jepen edhe për mënyrën e rekrutimit të administratës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›