E Diel, 1 Nëntor 2026

Në qelitë e Shkodrës, 107 të burgosur në grevë urie

13/02/2005  Në qelitë e Komisariatit të Shkodrës, të dënuarit janë hedhur që nga mëngjesi i së shtunës në një grevë urie. Arratisja e tre të dënuarve ka rritur masat e sigurisë dhe numrin e kontrolleve, ndërkohë që kjo ka shkaktuar reagimin e të burgosurve. Një nga të dënuarit ka komunikuar në telefon me gazetën, duke kërkuar që policia të marrë masat ligjore, por të mos shkelë të drejtat e tyre.

Çpo ndodh në qeli pas arratisjes së tre të burgosurve?

Kanë nisur kontrollet nëpër qeli orë pa orë, duke mos marrë parasysh nëse është mesnatë apo ditë. Na i kanë kthyer dhomat përmbys, duke kontrolluar rroba e ushqime, pasi janë kontrolluar njëherë kur kanë hyrë. Duket si një hakmarrje, megjithëse, ne nuk kemi të bëjmë me atë që ka ndodhur.

Ju prej sa muajsh jeni në burg?

Kam afro një vit që jam në qeli, pasi vendimi për mua nuk ka marrë ende formë të prerë nga gjykata.

Cila është gjendja në qeli?

Jemi nga 20 deri në 25 dhe disa herë 28 vetë në një domë. Gjithsej jemi afro 107 apo 108 të dënuar në të gjithë komisariatin. Prej tyre, 42 janë me vendim të formës së prerë, që nuk janë transferuar.

Çfarë ju mungon?

Kushtet janë të mjerueshme. Berberi ka dy muaj që nuk vjen, bëjmë festë kur na bie ndonjë brisk në dorë, për t'u rruar. Tualeti është në pikë të hallit. Janë vetëm dy banjo dhe mbajmë radhë se kush të hyjë më parë. Gjithsej janë 14 dhoma. Na është ndërprerë dhe dalja në ajrim, pa na thënë se përse e kanë bërë këtë punë. Na kanë ndërprerë dhe takimet me familjarët.

Ju kanë ardhur të afërm për t'ju takuar?

Po, më kanë ardhur dhe mua e të burgosurve të tjerë, kanë pritur me orë dhe janë kthyer pas. Të paktën të na thonë që ne t'i lajmërojmë që të mos vinë e të presin pas dere gjithë ditën.

Çfarë keni bërë për këtë që pretendoni?

Ne, që nga mëngjesi i së shtunës nuk kemi pranuar që të marrim ushqimin. Jemi të gjithë në një grevë urie. Nuk do të marrim derisa të na përmirësohen kushtet minimale.

Eshtë ushtruar dhunë nga gardianët mbi ju?

Jo, nuk është ushtruar dhunë fizike, por mungesa e kushteve është një presion psikik mbi ne. Këtë mund ta verifikojë kushdo që vjen e sheh qelitë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›