Karamelo: Dule, fëmija i përkëdhelur
23/05/2005 Kryetari i Partisë të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Ligoraq Karamelo, ka akuzuar qëndrimin më të fundit të kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, në lidhje me dy forcat kryesore të politikës në vend. Sipas Karamelos, pozicionimi i PBDNJ-së, është në rolin e një fëmije të përkëdhelur që ka frikë të gjejë një pozicion në politikën aktuale. Karamelo, duke reaguar ndaj qëndrimit të tre ditëve më parë në kongresin elektoral të PBDNJ-së, shprehet se “PBDNJ-ja vazhdon të jetë një parti pa fyrmë demokratike një parti thjesht kozmetike. Kreu i kësaj partie, Dule, po luan më tepër rolin e një fëmije të përkedhelur i cili do të kalojë nga njëri prehër tek tjetri, sesa të bëjë pjesë në ndonjë alternativë elektorale”. Në kongresin electoral, PBDNJ-ja nuk ka qenë e qartë se në cilën krah të sepektit të politikës shqiptare do të pozicionojë politikën e saj, duke lënë kështu të hapur pazarin e ofertave nga dy forcat më të mëdha në vend.