E Hënë, 2 Nëntor 2026

MJAFT kërkon nga BE, miratimin e një Rezolute për zgjedhjet në Shqipëri

23/05/2005  Veliaj: “Shqipëria është i vetmi vend ku qytetari s’është i sigurtë nëse vota numërohet me drejtësi”

Lëvizja MJAFT, i ka kërkuar së fundi Parlamentit Europian, që të lëshojë një rezolutë për t’i tërhequr vëmendjen lidershpit shqiptar se, në rast se ata do të përsërisin lojërat e tyre në dëm të lirisë, paanshmërisë dhe ndershmërisë së zgjedhjeve të 3 korrikut në Shqipëri, atëherë pasojat e papërgjegjshmërisë së tyre, do t’i vuajë i gjithë vendi. Kërkesa për këtë rezolutë, është bërë nga drejtori i Lëvizjes MJAFT, në një raund takimesh që ai pati ditët e fundit, i ftuar nga institucionet qëndrore të Bashkimit Europian në Bruksel. Veliaj shprehu angazhimin se nëse do të jetë e nevojshme, MJAFT do të ofrojë gjithë asistencën dhe ekspertizën e vet, në hartimin e një teksti rezolute në mënyrë që, ashtu siç u veprua edhe me rezolutën e Kongresit dhe Senatit amerikan javën që shkoi, edhe kjo e Parlamentit Europian, të jetë sa më pranë realitetit shqiptar. “Ne duam t’u bëjmë me dije të gjithë atyre që kanë në dorë sot mënyrën sesi do të dalim nga zgjedhjet e 3 korrikut se, populli shqiptar kërkon prej tyre që më në fund të tregojnë se bënë diçka të vlefshme për Shqipërinë”, tha Erion Veliaj. “Shqipëria është sot i vetmi vend në Europë ku qytetari s’është i sigurtë, nëse vota e tij është numëruar me drejtësi. S’ka pse të jetë më Shqipëria vendi i vetëm që s’po përparon dhe qindra-mijëra të rinj të këtij vendi, e shohin pa shpresë të ardhmen. Politikanët duhet t’i vënë gishtin kokës sa më parë, për pasojat që u sjell njerëzve çdo oreks, kokëfortësi apo sjellje primitive e tyre. Pavarësisht se dëshirat e

shumë liderëve politikë mund të jenë fisnike, ata duhet të kuptojnë një herë e mirë se s’mund të zëvendësojnë dot mendimin e shprehur me votë të lirë të një populli dinjitoz”, shtoi ai. Veliaj zhvilloi një takim edhe me stafin e Komisioneres, Benita Ferrero-Ëaldner, komisionere për marrëdhëniet me jashtë të BE-së. Gjatë takimit u shpreh shqetësimi për zgjedhjet e ardhshme, ngadalësinë e reformave dhe mungesën e implementimit të marrëveshjeve të negociuara tashmë. Në këtë takim, përfaqësuesi i MJAFT kërkoi liberalizimin e vizave për studentët dhe të rinjtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›