E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në mazhoritar votoni PD, në proporcional PR-në

23/05/2005  Mediu nis turin në Peshkopi e Durrës

Kryetari i Partisë Republikane, ka prezantuar dje kandidaturat në Peshkopi dhe në Dibër. Albert Paruku, Besnik Xhidra dhe Mynyr Sina, do të jenë konkurentët republikanë në zonën e Peshkopisë. Ndërsa në Dibër, PR ka prezantuar Genc Sharkun. Kreu i republikanëve, ka kërkuar prej elektoratit që si kandidaturë në mazhoritar, të mbështesë propozimet e Partisë Demokratike, ndërsa për proporcionalin, votat të shkojnë drejt partisë Republikane. Madje, për proporcionalin ai ka kërkuar mbështetjen dhe të elektoratit të Partisë Demokratike, duke e vlerësuar PR-në si forca që gjithnjë ka mbështetur të djathtën. Në fjalën e tij, Mediu ka theksuar se e drejta e pronës dhe familja, do të jenë qendra e angazhimit të republikanëve në katër vitet e ardhshme. Ndërsa një pikë kyçe, Mediu ka parë dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Për kryerepublikanin, vetëm opozita aktuale do të ketë mundësinë që të garantojë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ndaj, ai ka kërkuar votën e elektoratit për të garantuar rotacionin e pushtetit. Jashtë kritikave të Mediut, nuk kanë mbetur drejtuesit e LZHK-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›