E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karaxhiç, gracka amerikano-britanike

Autori i Lajmit: red.
Agjencitë zbuluese britanike dhe amerikane kanë ndihmuar në gjetjen e Radovan Karaxhicit, duke e njoftuar Beogradin për lëvizjet e tij, zbulon "Financial Times", duke iu referuar deklaratve të funksionarëve të larë serbë, të cilët mbeten anonim.
Shërbimet kompetente në Serbi para disa javëve nga "një agjenci e huaj" morën të dhëna se ku lëvizte ish-lideri i serbëve boshnjakë, të cilin Gjykata ndërkombëtare e Hagës e akuzon për gjenocid dhe për krime ushtarake gjatë kohës së konfliktit ushtarak në Bosnjë e Hercegovinë.
Ky njoftim është marrë menjëherë pasi presidenti serb Boris Tadic në krye të shërbimit serb kishte vendosur njeriun e tij. Gazeta londineze thotë se agjencitë zbuluese amerikane dhe britanike, me teknikë dhe me njerëz në terren, kanë bashkëpunuar ngushtë për gjetjen e Karaxhic.
Ndërkohë një gazetë boshnjake shkruante dje se Karaxhic është zbuluar pas një bisede telefonike me një farefis, i cili është përgjuar nga policia sekrete serbe.
Këtë e deklaroi Svetozar Vujaçiç, avokat i ish-liderit të serbëve të Bosnjës, shkruan gazeta e Sarajevës "Dnevni Avaz".
"Ata e kanë lokalizuar Karaxhiqin dhe kanë filluar ta ndjekin. Ai madje i ka parë teksa e ndiqnin", pohon avokati, sipas të cilit, i akuzuari i Hagës për gjenocid ishte fshehur në Beograd gjatë tri viteve të fundit.
Vujaçiç shtoi se me siguri drejtori paraprak i Agjencisë Informative serbe të Sigurisë (BIA) Rade Bullatoviq ka pasur më shumë informata se drejtori i tanishëm, Sasha Vukadinoviq, por bashkë me ish-kryeministrin Voisllav Koshtunica, ai informatat i ka "amortizuar, duke i paraqitur si akt patriotik".
Gjykatësit e Tribunalit do të tentojnë të zbatojnë gjykim të shpejtë për Radovan Karaxhiqin dhe t`i evitojnë proceset e ngadalshme nga e kaluara, bëri të ditur dje agjencia Rojters.
Ekspertët e kryeprokurorit Serzh Bramerc dhe ekipi i tij i avokatëve do të përpiqen të evitojnë gjykimin maratonik, siç ishte ai i ish-kryetarit serb Sllobodan Millosheviq. Një ish-prokuror i gjykatës, Richard Goldstone,tha se ai shpresonte se gjykatësit do të ishin më të shtrënguar me të se sa me Sllobodan Millosheviçin, vendimi i të cilit për t u vetëmbrojtur bëri që procesi gjyqësor i tij të hyjë në vitin e pestë para se ai të vdiste në Mars 2006.
Sipas analistëve, zyra e kryeprokurorit do të duhej të zbatojë gjykim të shpejtë dhe efikas, duke marrë parasysh faktin se Gjykata e Hagës përballet me afatin përfundimtar për mbarimin e të gjitha gjykimeve deri në vitin 2010, kur i skadon mandati.
Por ish-udhëheqësi serb i Bosnjës, Radovan Karaxhic i ka thënë avokatit të tij se do të mbrohet vetë, nëse ekstradohet në Gjykatën e Krimeve të Luftës në Hagë. Avokati i tij, Svetozar Vujaçiç tha se zoti Karaxhic ishte i bindur se do të fitonte.
Ky lajm është publikuar: 24/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›