E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNMIK-u dhe Beogradi nisin bisedimet

Kreu i UNMIK, Lamberto Zannier ka nisur bisedimet me autoritetet e Beogradit për dy nga gjashtë çështjet e propozuara nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki Mun. 

Temat e diskutimit ishin policia dhe drejtësia. Takimi me dyer të mbyllura, mes Zannier dhe ministrit serb për Kosovën, Goran Bodganoviç zgjati rreth dy orë. Sipas një zëdhënësi të UNMIK-ut, Russell Geekie, nuk është arritur ndonjë marrëveshje. "Nuk ka pasur marrëveshje për këto çështje, Zannier dhe Bogdanoviç kanë shkëmbyer pikëpamjet e tyre, por janë pajtuar që të takohen përsëri për të biseduar për çështje teknike", tha Geekie. Bisedimet e radhës ndërmjet kreut të UNMIK-ut dhe zyrtarëve të Serbisë pritet të mbahen në gusht, por ende nuk është caktuar data dhe vendi i takimit. UNMIK ka kërkuar nga Beogradi të ndihmojë në rivendosjen e gjykatave të Kosovës në veri të Mitrovicës, puna e të cilave u ndërpre pas shpalljes së pavarësisë dhe reagimit të dhunshëm të serbëve atje. Beogradit i është kërkuar të ndikojë në kthimin e pjesëtarëve serbë në shërbimin policor të Kosovës. Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, tha se: "Nuk mund të ketë vetëm gjykatës ndërkombëtarë, sepse kjo nuk është e pranueshme për palën serbe me rezervat ndaj misionit EULEX. Ne kemi këmbëngulur që gjykatësit dhe prokurorët të jenë serbë dhe ndërkombëtarë", tha ai. Për zyrtarët e Kosovës, takimet e Zannier nuk do të jenë në natyrën e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›