Karaxhiç refuzon të deklarohet në Hagë për akuzat
Ish-lideri politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, ka refuzuar të deklarohet lidhur me aktakuzën që e bën atë përgjegjës për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Hagës, trupi gjykues mori parasysh deklaratat e mëparshme të Karaxhiçit se nuk ndihet fajtor për 11 pikat e aktakuzës së ngritur ndaj tij. Karaxhiçi u arrestua në korrik të vitit të kaluar pas 11 vitesh arrati me identitet të rremë. Nëse Karaxhiç shpallet fajtor për krime kundër njerëzimit ndaj popullsisë joserbe në Bosnjë, ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm. Në seancën e djeshme ai përsëriti se i është premtuar imunitet nga diplomati amerikan Riçard Hollbruk, i cili negocioi marrëveshjen që i dha fund luftës së Bosnjës në vitin 1995.
Kroaci, të premten takim jozyrtar i NATO-s në rajon
Ministrat e Mbrojtjes të Europës Juglindore do të mblidhen të premten në kryeqytetin kroat Zagreb, për një takim jozyrtar të NATO-s në rajon. Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate për shtyp nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes kroate. Pjesëmarrësit do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë rajonale dhe mundësitë e reja për bashkëpunim rajonal në kuadër të Kartës së Adriatikut, theksohet në deklaratë. Karta e Adriatikut është një organizim i formuar nga Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, me qëllim të përshpejtohen përpjekjet e tyre për t’u bashkuar me NATO-n.
Karta është nënshkruar në Uashington gjatë vitit 2003 në kujdesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina iu bashkuan Kartës së Adriatikut në dhjetor të vitit 2008. Në takimin e organizuar nga ministri i Mbrojtjes kroate, Branko Vukeliç, pritet të marrin pjesë ministra dhe zyrtarë të Ministrive të Mbrojtjes nga Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Hungaria, Italia, Maqedonia, Rumania, Serbia, Turqia dhe Sllovenia si dhe përfaqësues të NATO-s.
Pakistan, sulmohet skuadra e kriketit të Sri Lankës
Tetë persona gjetën vdekjen dje gjatë një sulmi në Pakistan. Persona të armatosur hapën zjarr ndaj një autobusi të skuadrës së kriketit të Sri Lankës në Lahore, duke lënë të vdekur gjashtë policë dhe dy civilë. “Policët sakrifikuan jetët e tyre për të shpëtuar jetën e sportistëve”, - tha shefi i Policisë në Lahore. Sulmi u krye nga 12 persona me fytyrë të mbuluar, të armatosur me armë kallashnikov, raketa dhe granata, ndërsa autobusi po kthehej nga një ndeshje kundër Kombëtares pakistaneze të kriketit. Reagimi i policisë nxiti një betejë që zgjati gjysmë ore. Sipas njoftimeve, katër persona janë arrestuar. Objektivi i sulmit ishte sekuestrimi i autobusit, por ndërhyrja e policisë bëri që plani të dështonte.
4 Mars 2009