E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tim Xhuda: “Njohja e Kosovës nga Serbia, çështje kohe”

Pavarësia një sukses, por problemet mbeten për t’u zgjidhur. Sfida e Kosovës ka të bëjë me marrëdhëniet me minoritetin serb

Blerina Olldashi
Kosova do të njihet shtet i pavarur nga Serbia dhe kjo është vetëm çështje kohe dhe interesi për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kështu është shprehur gjatë një interviste eksperti britanik për çështje ndërkombëtare, Tim Xhuda. I pyetur nëse ekzistojnë mundësi që Kosova të njihet nga Serbia në këmbim të integrimit të saj të përshpejtuar në BE, Xhuda tha se edhe pse njohja e Kosovës në një formë apo në një tjetër do të jetë kusht që do t’i vihet Serbisë në të ardhmen. “Ndonëse thuhet se njohja e Kosovës nuk është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, në fakt do të jetë kusht në njërën apo tjetrën formë”, - tha Xhuda. I pyetur nëse zhvillimet e deritanishme të Kosovës si shtet i pavarur mund të konsiderohen të suksesshme, Xhuda u shpreh se duke u nisur nga parashikimeve negative që u bënë për situatën pas pavarësisë, gjithçka shkoi mirë, përveç numrit jo të madh të njohjeve. “Nëse u referohemi parashikimeve të zymta, që u bënë për Kosovën, se do të kishte dhunë dhe se Serbia do të binte në duar të ekstremistëve, nacionalistëve, atëherë mund të themi se gjërat shkuan mjaft mirë. Nga ana tjetër, nuk ka pasur sukses nga pikëpamja e njohjes së vendit, zhgënjimi nga vendet që nuk e njohin shtetin e saj të ri, apo që Serbia po drejton një fushatë efikase diplomatike kundër njohjes dhe natyrisht fakti që Kosova nuk është sovrane në të gjithë territorin e saj, është në pjesën më të madhe të tij, por jo në të gjithin”, - tha Xhuda. Sipas tij, sfidat me të cilat do të përballet Kosova kanë të bëjnë me marrëdhëniet me minoritetin serb, apo me zonat që janë “de facto” nën kontrollin e Serbisë. Ai tha se këtë vit nuk priten zhvillime të mëdha për çështjet më të rëndësishme të shtetit të ri. “Është shumë e rëndësishme që autoritetet në Kosovë të jenë të ndërgjegjshme se problemi më i madh këtë vit është kriza financiare botërore dhe përballimi i saj. Në Serbi shumë vetë do të humbin vendet e tyre të punës, në Kosovë njerëzit do të kenë më pak para, pasi do të bien pa dyshim dërgesat e emigrantëve, siç është rasti tani edhe në Shqipëri. I pyetur për rolin e misionit të BE-së, EULEX, Xhuda tha se ai nuk duhet të përdoret si justifikim nga drejtuesit dhe politikanët e Kosovës, siç ka ndodhur në të shkuarën. Politikanët ua kanë kaluar problemet e vështira të huajve për të mos i marrë përgjegjësitë vetë. BE-ja do të japë kontributin e saj, megjithatë janë vetë kosovarët ata që duhet të zgjidhin problemet e tyre”,- tha Xhuda.

Kosovë, reduktimi i KFOR-it do të fillojë në qershor

Prania e forcave të KFOR-it në Kosovë do të zvogëlohet në minimum, duke filluar nga muaji qershor i këtij viti. Lajmi u bë i ditur nga gazeta “Politika”. Një diplomat anonim i NATO-s, ka deklaruar se ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s do të takohen në qershor, në Bruksel, dhe do të vendosin për praninë e ardhshme simbolike të KFOR-it në Kosovë. Ky burim ka vlerësuar se tërheqja e KFOR-it nuk do të duhej të inkurajonte elementet ekstremiste në veri të Kosovës dhe EULEX-i, policia lokale dhe FSK-ja do të jenë garanci e mjaftueshme për ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit. Komandanti i KFOR-it, Xhuzepe Emilio Gaj, ka ritheksuar se NATO-ja është duke planifikuar reduktimin e trupave të veta në të gjithë Kosovën përfshirë edhe veriun. “Nuk mund të them se KFOR-i do t’i largojë forcat tërësisht, por është në fazën e reduktimit të tyre, ndërkaq kjo do të ndodhë edhe në veri”,- ka thënë Gaj. Ai tha se në Kosovë gjendja e sigurisë është e mirë, por mund të bëhet edhe më shumë në këtë drejtim.

4 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›