E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen nga Italia, policia e arreston se ishte i kërkuar



Durrës – Një 34-vjeçar u arrestua dje në mesditë nga shërbimet e Policisë Kufitare Durrës pasi rezultonte person në kërkim. Fred Trungshi, 34 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Shullaz, pranë qytetit të Laçit, u ndalua pasi Gjykata e Rrethit Kurbin kishte lëshuar për të, më 31 janar 2007, një vendim për masë sigurie arrest me burg. I kërkuari përballet me akuzën e “falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”. Dje i kërkuari mbërriti në Portin e Durrësit me tragetin “Aurelia” të linjës Bari-Durrës. Por, duke e ditur fare mirë se mund të arrestohej, 34-vjeçari paraqiti pranë autoriteteve të Policisë Kufitare dokumentacionin me gjeneralitetet e të vëllait. Gjithsesi, dëshira dhe malli për vendlindjen nuk iu shpërblyen 34-vjeçarit, pasi identiteti i tij i rremë u zbulua dhe ai përfundoi në qelitë e Komisariatit të Policisë Laç.

Gjykata dënon me 300 mijë lekë gjobë zëvendëskryeministrin Genc Pollo

Tiranë - Për herë të parë një zëvendëskryeministër në detyrë u dënuar nga gjykata për shpifje ndaj personave të tretë. Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka dënuar dje zëvendëskryeministrin Genc Pollo me 300 000 lekë për shpifje ndaj sipërmarrësit Arjan Çukaj. Vendimi i Gjykatës u mor pas padisë civile të paraqitur nga të dyja palët si pasojë një konference për shtyp në tetor të vitit 2007. Ministri i atëhershëm i Arsimit, Genc Pollo, kishte akuzuar sipërmarrësin se po kërkonte licencë universiteti nëpërmjet shkrimeve kërcënuese në gazetën “Standard”, ku është botues. Por Gjykata vendosi se të gjitha këto ishin të pavërteta dhe se ministri kishte reaguar duke përdorur fjalë të ulëta dhe shpifje përkundrejt sipërmarrësit. Në të njëjtën kohë, Arjan Çukaj, administrator i kompanisë “Ferar shpk” dhe aksioner në të përditshmen “Standard”, u dënua me 100 mijë lekë gjobë nga Gjykata për përmbajtjen e reagimit të tij ndaj shpifjeve të ministrit tri ditë pas konferencës për shtyp.

4 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›