E Diel, 1 Nëntor 2026

Karburantet, afati i kontratave për pajisjet fiskale: 15 tetor

Shoqëritë e karburanteve që tregtojnë me pakicë kanë afat deri më 15 tetor për të lidhur kontratat me një nga pesë shoqëritë e autorizuara për vendosjen e kasave fiskale. Afati është vendosur nga Ministria e Financave, por gjasat janë që të mos zbatohet. Tregu i karburanteve në vend operon në kushte pjesërisht informale dhe të paorganizuar. Shoqëritë e autorizuara nga Ministria e Financave për vendosjen e pajisjeve fiskale ankohen për mungesën e informacionit që kanë disa shoqëri karburanti sa i takon detyrimit për t‘u pajisur me kasa. Nga vëzhgimi i bërë në treg, rezulton se ka shumë probleme me pompat e karburantit, të cilat janë të vjetra dhe nuk e njohin modelin e kasës. "Të paktën 80 për qind e tregut punon në mënyrë të çrregullt. Pikat e vogla, që nuk janë markë, kanë një numër të lartë prezence në treg dhe operojnë në kushte minimale rregulli. Makineritë e tyre nuk janë të standardizuara, ndërsa pompat kanë kode që nuk përputhen me deklaratat në dogana ose me certifikimin e lejuar nga BE. Në këto kushte, shumë pika karburanti nuk kanë ndërmend t‘i ndërrojnë pajisjet për shkak të kostos, e për pasojë vendosjen e kasës fiskale e shikojnë si diçka të pakuptimtë", pohon për gazetën njëri nga distributorët e pajisjeve fiskale.

Jo më larg se dy ditë më parë, Ministria e Financave nxori një udhëzim për vendosjen e kasave për pikat e karburantit, duke specifikuar kushtin e pajisjes së çdo pompe me memorie fiskale.

Tjetër problem lidhet me çmimin e kasës, e cila për këtë lloj aktiviteti shkon deri në 3 mijë euro. Mjafton që një shoqëri karburanti të ketë 10 pika shitjeje dhe kostoja del e konsiderueshme.

Gjoba për mospajisjen me kasë fiskale shkon deri në 1 milion lekë të vjetra. Shumë biznese nuk i kanë vendosur pajisjet nga neglizhenca ose mungesa e informacionit. Disa të tjera i kanë vendosur në vitet ‘95-‘96, por që më pas dështuan, e tani nuk duan të blejnë të tjera. Për pajisjet e vjetra, udhëzimi i ri i Financave qartëson se do të certifikohen nga drejtoria e kalibrimit dhe shoqëritë e autorizuara. Në rast të kundërt, biznesi është i detyruar që t‘i blerë të reja.

Në tregun e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, aktualisht operojnë rreth 120 shoqëri të pajisura nga Ministria e Ekonomisë me "leje tregtimi" (shumicë), si dhe rreth 870 stacione të shitjes me pakicë të karburanteve dhe 110 stacione të shitjes me pakicë të gazit të lëngëzuar të naftës (GLN). Ministria pranon se tregu paraqet probleme, ku shumë pika karburanti nuk janë të pajisura me licencë, ku një pjesë e tyre nuk garantojnë siguri dhe standarde.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›