E Diel, 1 Nëntor 2026

Karburantet, hetimi në treg ende pa rezultat

02/04/2009  Komisioni i Ekonomisë

Hetimi për rritjen e çmimit të karburanteve në treg ende nuk ka asnjë rezultat përfundimtar. Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë deputetët kërkuar sqarime në lidhje me punën e Autoritetit të Konkurrencës, i cili sipas tyre nuk ka ndërhyrë për të shmangur abuzimet me çmimet dhe konkurrencën e pandershme. Paraprakisht ky autoritet është shprehur se ka shtrembërim të konkurrencës së ndershme në treg, por ende nuk është rekomanduar marrja e masave. Gjithsesi, sipas drejtueses së këtij institucioni, Autoriteti i Konkurrencës ndërhyn në treg në rastet kur vihet re deformim, por jo kur rritet çmimi. Ka qenë kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, që ka deklaruar se aktualisht nuk është bërë asgjë për të ndalur abuzimet e tregtarëve, sidomos pas deklaratave të tyre se do të ketë sërish rritje të çmimit, për shkak të rritjes së akcizës. “Për naftën e importuar nuk është rritur 37 lekë ka qenë 37 është edhe sot. Akciza ndryshoi vetën për naftën e vendit, nga 27 lekë në 37 lekë megjithatë shoqëritë e karburantit në mënyrë të paturpshme dolën edhe në media dhe deklaruan se do të rrisin çmimit, sepse qeveria ka rritur akcizën. Çfarë bëhet në një rast të tillë?”, tha Spaho. “Autoriteti i Konkurrencës nuk duhet dhe nuk mund të konceptohet që të ndërhyjë në treg atëherë kur ka lëvizje çmime. Absolutisht jo. Ne ndërhyjmë në treg atëherë kur vihet re se ka një lëvizje të bashkërenduar”, - tha Lindita Milo, duke nënvizuar se ky autoritet nuk mund të shprehet kurrsesi pa ekzistuar një evidencë e qartë ekonomike. Hetimi që ka nisur vitin e kaluar është fokusuar në sjelljen e kompanive që importojnë naftën dhe jo drejt ndryshimit të çmimeve për shkak të rritjes së akcizës, apo sasisë që tregtohet nga pikat e pakicës. Nëse do të konstatohet prishje e konkurrencës, atëherë operatorët do të penalizohen me gjoba që variojnë nga 2-10 për qind të xhiros vjetore. Vendimi i qeverisë për ndalimin e tregtimit të naftës D2 të importuar dhe tregtimin vetëm të naftës së prodhuar në vend, nga kompania e privatizuar ARMO, është kundërshtuar nga Autoriteti i Konkurrencës. Para se të merret vendimi janë zhvilluar seanca dëgjimore me 8 kompanitë kryesore importuese, i cili do të bëhet publik shumë shpejt.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›