E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si mund të përfitoni rimbursimin

02/04/2009  Financat: Formula e pagesës së tatimit mbi të ardhurat për biznesin e vogël

Nëse keni paguar më tepër sesa tatimi i administratës vendore, paratë do t’ju kthehen

Administrata tatimore do të rimbursojë bizneset që kanë paguar më shumë. Ministria e Financave ka sqaruar se sipas ligjit subjektit i lind e drejta për të kërkuar rimbursim për tatimin e paguar tepër. “Ky rimbursim jepet nga fondet e pushtetit qendror dhe të ardhurat e bashkive dhe komunave nuk preken”, - thanë burimet e Ministrisë së Financave. Ajo rimbursohet automatikisht brenda 30 ditëve kalendarike nga data e derdhjes së shumës së paguar më tepër.

Shembulli

Ekspertët e Ministrisë së Financave sqaruan aplikimin e taksës së sheshtë për biznesin e vogël. Sipas burimeve të kësaj ministrie, shpjegimi është bërë për të shmangur keqinterpretimet. Kështu, biznesi ‘x’ është i regjistruar si subjekt i taksës vendore mbi biznesin e vogël dhe realizon një xhiro vjetore prej 7 milionë lekësh. Taksa vendore mbi biznesin e vogël llogaritet duke shumëzuar xhiron vjetore me shkallën tatimore prej 1,5% dhe paguhet në 4 këste të barabarta për çdo tremujor. Subjekti ‘x’ duhet të paguajë pranë komunës a bashkisë një taksë vjetore të barabartë me 7 milionë x 1,5%=105.000 lekë. Me përfundimin e vitit kalendarik subjekti duhet të dorëzojë pranë degëve të tatimeve një pasqyrë të të ardhurave dhe shpenzimeve dhe të llogarisë fitimin e tatueshëm e më tej tatimin përfundimtar", thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Duke e bërë më transparent këtë detyrim, këto burimeve sqarojnë: "Të supozojmë se subjekti ynë ka 6 milionë lekë shpenzime të zbritshme ku përfshihet kosto e mallrave dhe shërbimeve të blera, pagat, sigurimet shoqërore, qiratë, faturat e energjisë, telefonisë, amortizimin e aktiveve të qëndrueshme dhe çdo shpenzim tjetër të lejuar nga ligji. Diferenca mes të hyrave gjithsej dhe shpenzimeve të zbritshme na jep të ardhurat e tatueshme, të cilat në rastin tonë do të ishin 7 mln – 6mln= 1 milion lekë. E ardhura e tatueshme po të shumëzohet me shkallën tatimore prej 10% na jep tatimin real mbi të ardhurat personale që duhet të paguante subjekti: 1 milion x 10%=100.000 lekë. Por ndërkohë subjekti ka parapaguar 105.000 lekë pranë bashkive dhe komunave, të cilat janë të zbritshme nga tatimi real. Në rastin tonë subjekti ka paguar 105.000 - 100.000=5 mijë lekë më shumë, sesa duhet. Kjo shumë do t’ju rimbursohet. Ministria e Financave bën të ditur se bëhet fjalë për rreth 60 000 subjekte, të cilat kategorizohen si biznese të vogla, që i nënshtrohen tatimit mbi fitimin e tyre.

Afati

Afati i fundit për deklarimin e bilanceve vjetore për bizneset e vogla dhe të mëdha për vitin 2008 ishte deri më 31 mars të këtij viti. Bizneseve të vogla u ka lindur për herë të parë ky detyrim për të cilin nuk kanë qenë të familjarizuar më parë. Gjithçka është bërë me qëllim për të realizuar pagesën e tatimit mbi të ardhurat e bizneseve për fitimin gjatë vitit 2008. Deklarimi është bërë me anën e një formulari tip në administratën tatimore, e cila do të verifikojë tashmë të dhënat e paraqitura prej tyre. Në rast se agjentët tatimorë do të shohin se ka shmangie të pagesës së detyrimeve, apo edhe parregullsi atëherë u lind e drejta që të kontrollojnë bizneset për të kërkuar një argumentim të deklaratave të bëra. Pas verifikimit në terren tatimorët mund të marrin masa të tjera ndëshkuese, nëse nuk krijojnë bindjen për vërtetësinë e të dhënave. Ndërsa subjekti ka gjithnjë të drejtën për t’u ankuar.

Gjobat

Të gjitha bizneset që nuk kanë dorëzuar bilancet vjetore do të penalizohen në masën 40 mijë lekë. Sipas ligjit në fuqi, ky sanksion aplikohet për ato subjekte që kanë shmangur deklarimin e bilanceve. Gjithsesi, gjoba për shmangien e deklarimit nuk i shpëton bizneset nga mospagesa e tatimit mbi të ardhurat. Mosrespektimi i afatit për deklarimin e të ardhurave është një shmangie ligjore që penalizohet nga ligji në fuqi. Pra, përveç tatimit mbi të ardhurat që është përcaktuar në masën 10 për qind mbi diferencën e xhiros vjetore dhe shpenzimeve, sërish biznesi është i detyruar që të paguajë edhe gjobën për mosrespektimin e afatit të deklarimit. Biznesi i madh e ka pasur këtë detyrim, ndërsa biznesit i vogël i është shtuar këtë vit. Për këtë arsye jo të gjithë bizneset kanë qenë të njohur me këtë detyrim, edhe pse u diskutua gjatë një viti, deri në miratimin e formularit përkatës nga Ministria e Financave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›