E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: “Kushtetuesja të interpretojë afatet e mandateve të deputetëve të PS-së”

Deputeti socialist, Arben Malaj, komenton krizën politike dhe bojkotin. Hyrja në Kuvend e opozitës, individuale. Të sqarohet ligjshmëria e mandateve
Eneida Jaçaj

Kur kanë mbetur edhe pak javë nga bojkoti 6-mujor i opozitës dhe kur vihet në rrezik mandati i 64 deputetëve socialistë, Arben Malaj kërkon që Gjykata Kushtetuese të interpretojë kuadrin ligjor. Në një intervistë dhënë për “Albania”-n, ai thotë se kjo do të ishte një zgjidhje shumë e mirë në mënyrë që Kuvendi të mos përballet me një precedent të rëndë, siç është ai i humbjes së mandatit për të gjithë përfaqësuesit e opozitës, të cilët kanë refuzuar hyrjen në Kuvend deri në hapjen e kutive. Sipas tij, “nuk duhet vonuar interpretimi i Komisionit të Rregullores në Parlament. Partitë politike apo deputetët, në qoftë se nuk janë dakord, i drejtohen Gjykatës Kushtetuese”.
Pjesëtari i grupit të deputetëve të Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS shprehet se hyrja në Kuvend është një zgjidhje individuale e secilit prej të zgjedhurve socialistë. Por ai e vlerëson të rëndë situatën politike në vend, në kushtet kur ekziston keqqeverisja në njërën anë dhe, në anën tjetër, bojkoti i opozitës.

Deputeti Marko Bello ka deklaruar në një intervistë televizive se në janar të vitit 2010 do të hyjë në Parlament, duke injoruar bojkotin e kryetarit Edi Rama për hapjen e kutive. Të gjithë deputetët, të cilët përfshihen në Lëvizjen për Mendimin Ndryshe, duke ju përfshirë edhe ju, do ta mbështesni z. Bello?

Deklarata për të hyrë në janar në Kuvend është individuale, ndërsa shqetësimi për radikalizimin e PS-së është i përbashkët. Ky shqetësim vjen dhe rritet sa më afër afatit kushtetues ndodhemi dhe sa më shumë kohë po humbasim për t’u përgatitur për sfidat e PS-së dhe të së majtës.

Në janar të 2010-ës Partia Socialiste do të rinisë protestën e saj, ku do të ftojë gjithë popullin e opozitës. Sipas jush, kjo protestë do të mund t’i shkojë qëllimit të saj deri në fund për hapjen e kutive, ose përmbysjen e kësaj qeverie?

Besoj se nuk mund të flasim për përmbysje qeverish. Ne kemi shprehur shqetësim për mundësinë e humbur të kësaj maxhorance, për të garantuar standarde europiane të zgjedhjeve. Jemi të vetëdijshëm për pasojat negative që ka radikalizimi i PS-së dhe rritja e agresivitetit të ambientit politik në vend. Jemi kundër agresivitetit individual të kryeministrit dhe qeverisë së tij ndaj përfaqësuesve të opozitës, medias dhe biznesit. Ky agresivitet kryeministror dhe qeveritar do të krijojë një efekt negativ edhe mbi zhvillimet ekonomike e sociale në vend.

Nëse opozita vazhdon lumin e protestave, duke qenë se kryeministri Sali Berisha nuk reagon përkrah qëllimeve të saj, atëherë, sipas jush, a rrezikohet rrjedhimisht mandati i kësaj qeverie, pasi një sërë ligjesh nuk mund të votohen vetëm me votat e maxhorancës?

Shpresoj se PS-ja mund dhe duhet të vijë në pushtet jo me bojkot, sado i gjatë apo i ashpër të jetë ai, por me avantazhet e saj. Kjo kërkon një strategji më të qartë, më konkrete, më të suksesshme dhe afatgjatë. Nga pikëpamja kushtetuese, qeveria mund të mbijetojë, por vetëm të mbijetojë, duke krijuar kosto dhe vonesa në reforma të rëndësishme për ekonominë, për integrimin europian dhe për çdo shqiptar. Një qeveri që thjesht synon të mbijetojë, është një qeveri që politikisht është e dështuar dhe ekonomikisht e dëmshme për sfidat e vendit të saj. Ashtu sikur një opozitë që bojkoton institucionet e vendit të saj krijon modelin dhe precedentin e keq të zhvillimeve politike në vend. Një qeveri që thjesht mbijeton dhe një opozitë që thjesht bojkoton, ky është zhgënjimi i shqiptarëve pas rreth 20 vjetësh tranzicion. Trancizion i gjatë, me pengesa, vonesa dhe kriza të herëpashershme. Kjo është një arsye më shumë për të dalë nga qëndrimet strikte dhe me tendencë radikalizuese si nga qeveria, edhe nga opozita. Kjo është arsyeja pse ndryshimet e Kushtetutës së vendit tënd, ndryshimet e sistemit zgjedhor të vendit tënd, ndryshimet kushtetuese të funksionimit të shtetit ligjor, duhet të jenë rezultante e përgjegjësisë ndaj vendit dhe jo e “dashurive” apo kompromiseve të momentit të kryetarëve të partive politike.

Ju si një politikan me karrierë të gjatë, është e drejtë që Kryetarja e Parlamentit t’iu heqë mandatin deputetëve të opozitës, ndërkohë që nuk bëhet fjalë vetëm për një deputet, i cili mungon në Parlament, por për një opozitë të tërë e bindur në qëllimin e saj?

Rruga më mirë është të kërkohet interpretim ligjor nga Komisioni i Rregullores së Parlamentit. Një deputet, edhe kur e ka mandatin, e humbet atë në qoftë se nuk e përdor 6 muaj rresht. Asnjëra prej forcave politike nuk duhet të lodhet për të gjetur sofizmin e radhës në përligjje të veprimit të saj. Deformimet në funksionimin e Parlamentit kanë pasoja të rënda mbi demokracinë. Qartësimi i rregullave nëpërmjet gjyqësorit, aq më tepër, i kritereve të përfitimit dhe humbjes së mandatit, është i domosdoshëm. Ai nuk duhet të bëhet për një situatë të caktuar në funksionimin e Parlamentit, por në detyrim të respektimit të këtij institucioni dhe Kushtetutës së vendit. Mungesa mbi gjashtë muaj të njëpasnjëshëm, pavarësisht nga arsyet politike, e bën të pavlefshëm mandatin. Këto janë mendime që shkëmbehen midis kolegëve ekspertë në fushën juridike. Nuk duhet vonuar interpretimi i Komisionit të Rregullores në Parlament. Partitë politike apo deputetët, në qoftë se nuk janë dakord, i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çdo vonesë zvarrit zgjidhjen politike dhe mban gjallë krizën e mosfunksionimit të Parlamentit.

Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit partitë e vogla politike kanë shprehur rezervat e tyre lidhur me hartimin e Kodit Zgjedhor nga dy forcat e mëdha politike. Ju jeni për rishikimin apo ndryshimin e Kodit Zgjedhor?

Mendoj se po, bile edhe Kushtetuta e vendit. Ndryshimet e kryera në një moment mirëkuptimi midis vetëm kryetarëve të dy partive më të mëdha në vend deformuan rëndë funksionimin demokratik të vendit. Mungoi diskutimi publik për ligjin themelor, mungoi ekspertiza profesionale jashtë forcave politike. U prekën momente të sistemit të kontrollit dhe balancës midis pushteteve të ndryshme. Sistemi elektoral dhe Kodi Zgjedhor duhet të rishikohen. Ndryshimi i tyre në mungesë të diskutimit, transparencës dhe me shpejtësi nuk solli asnjë prej objektiva kryesorë për të cilët u argumentua domosdoshmëria e ndryshimit të tij nga maxhoritar në proporcional. Grumbullimi territorial i votave sipas preferencave të theksuara partiake mbijetoi. Gjithashtu, influenca negative e njerëzve me pushtet të fortë mbijetoi. Demokracia e brendshme e forcave politike u cenua rëndë. U bënë hapa pas në sistemin e vlerësimit sipas kontributeve, duke e shndërruar në sistem vlerësimi sipas preferencave individuale dhe imponimit. Në një vend ku mungon në mënyrë të theksuar kultura e konsensusit, kompromiseve dhe aleancave, sistemi i ri elektoral përqendroi pushtet gati absolut në vendimmarrjen e kryetarëve të partive. U reduktua numri i partive parlamentare, por u bënë me fragile koalicionet dhe u nxit në mënyrë të imponuar arritja e çdo koalicioni thjesht mbijetues.

Ju, si njohës i ekonomisë dhe si politikan me përvojë në financa, a është prekur buxheti i qeverisë nga kriza ekonomike?

Viti 2010 është një vit jo i lehtë edhe për ekonomi shumë më konkurruese dhe të konsoliduara në funksionimin e tyre. Viti 2009 ka qartësuar prekjen e vendit tonë nga kriza dhe nga keqqeverisja. Kosto shtesë po i shtohen ekonomisë së vendit tonë edhe nga agresiviteti në rritje në jetën politike. Qeveria ka parashikuar një buxhet që do të rezultojë joreal dhe euforik. Me rënien e aktivitetit ekonomik, rënia e importeve dhe eksporteve me rënien e dërgesave të emigrantëve, me vështirësitë në marrjen e kredisë, me vonesat në investimet e huaja në ekonominë tonë, janë të qarta shenjat që një vit i vështirë është përballë qeverisë dhe vetë shqiptarëve. Është i madh risku që qeveria për të fshehur efektet e krizës mund të bëhet abuzuese me buxhetin duke rritur risqet e dështimit të tij. Në qoftë se qeveria do të vazhdojë me këtë agresivitet ndaj biznesit, në qoftë se do të vazhdojë të fshehë problematikën dhe të mos ofrojë zgjidhje për t’i zbutur ato, sfidat e vitit 2010 do të jenë jo të lehta.

26 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›