Topalli uron besimtarët në Shkodër për ditën e Krishtlindjes
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, bëri dje një vizitë urimi në Katedralen e Shkodrës dhe në kishën ortodokse të këtij qyteti. Duke i uruar të gjithë shqiptarët për këtë ditë të shpresës dhe optimizmit, kryetarja e Kuvendit tha: “Krishtlindja, ashtu si festat e tjera fetare të kombit tonë, është një festë shumë e bukur, festa në të cilën princi i paqes lindi për të sjellë më shumë lumturi e paqe në botë, ndaj dhe unë uroj të gjithë besimtarët, jo vetëm ata katolikë, por të gjithë shqiptarët, në këtë ditë kur secili prej nesh duhet t’u japë shenjën e paqes të njohurve, të afërmve. Unë uroj të gjithëve gëzuar këtë festë, paqe, lumturi, mbarësi e shëndet në familjet e tyre!” - është shprehur Topalli.
Rama uron gëzuar Krishtlindjen në veçanti për familjet në krizë ekonomike
Në ditën e festës së Krishtlindjes, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, të premten në mesditë ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë, por në veçanti të gjithë ata qytetarë që po përballen me krizën ekonomike. Me rastin e festës, kreu i PS-së zhvilloi një vizitë në selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale, ku u prit nga kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos. Pas vizitës në selinë e Kishës Ortodokse në Tiranë, Rama e përqendroi urimin e tij tek ata që këto festa i gjejnë në sakrifica. “Ju uroj të gjithëve gëzuar Krishtlindjen! Mbi të gjitha dua që ky urim t’u shkojë të gjitha familjeve shqiptare që në këtë fundviti përballen me një krizë e cila ka nevojë për durim, ka nevojë për mundim, ka nevojë për sakrifica të veçanta, që unë uroj dhe shpresoj që nuk do të vazhdojnë për një kohë të gjatë”, - u shpreh kryetari Rama.
26 Dhjetor 2009