Qeveria shfuqizon shërbimin e detyruar ushtarak
Eljona Ballhysa
Këshilli i Ministrave ka marrë dje vendimin për të hequr shërbimin e detyruar ushtarak. Gjatë mbledhjes së djeshme qeveria miratoi ndryshimet në ligjin për shërbimin ushtarak në Shqipëri, të cilat sjellin shfuqizimin e nenit 19, i cili parashikonte realizimin e shërbimit të detyruar ushtarak. Po kështu, ndryshimet në ligj sjellin lehtësira për personat që vendosin të bëjnë me dëshirë ushtrinë në rastet kur ato janë të martuar dhe bëhen me fëmijë. Sipas ndryshimeve në ligj, këta persona ndërpresin në mënyrë urgjente shërbimin ushtarak.
Ndryshimi
Në relacionin që i bashkëlidhet projektit të qeverisë sqarohet se heqja e shërbimit të detyruar ushtarak bëhen në zbatim dhe të rekomandimeve të ndërkombëtareve për zvogëlimin e ushtrisë dhe rritjes së profesionalizimit të saj. Në bazë të përpjekjeve të vendit për tu anëtarësuar në NATO, edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë po ndjekin hap pas hapi procedurat e kërkuara për anëtarësimin e plotë të vendit tonë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Në vitin 2010 parashikohet që forcat e armatosura do të jenë tërësisht profesioniste dhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të eliminohet. Qëllimi i paraqitjes së ndryshimeve në Ligjin nr 9047, datë 10.07.2003 “për shërbimin ushtarak në republikën e Shqipërisë” është përshtatja e tij me ndryshimet e ndodhura në Forcat e Armatosura dhe në mënyrë të veçantë në kalimin e tyre në forca tërësisht profesioniste. Në këtë kuadër është parë e domosdoshme që të hiqet detyrimi i kandidatëve për ushtarë profesionistë për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, pra shfuqizimi i nenit 19 të ligjit nr 9047. Për më tepër ky nen sipas relacionit të hartuar nga ekspertët e ministrisë së Mbrojtjes, jo vetëm që del i panevojshëm për arsye të eliminimit pas dhjetorit të 2009-ës të shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv, por bie gjithashtu ndesh me shkronjën “dh” të pikës 1, të nenit 5 të ligjit nr 9171, datë 22.01.2004 “për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Shqipërisë”, i cili mjaftohet me kryerjen e stërvitjes bazë dhe jo me kryerjen domosdoshmërisht të shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv.
Lehtësirat
Sipas ndryshimeve të miratuara në ligjin për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë është parashikuar që shtetasi që nuk dëshiron ta kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak me armë për arsye ndërgjegjeje, duhet të bëjë kërkesë në qendrën e rekrutim-mobilizimit para mbushjes së moshës ligjore për kryerjen e shërbimit ushtarak dhe të kërkojë kryerjen e shërbimit alternativ. Gjithashtu ai mund të kërkojë kryerjen e shërbimit alternativ për arsye ndërgjegjeje edhe në kohën kur është duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kërkesa në këtë rast i paraqitet komandës së njësisë, ku ai kryen shërbimin ushtarak. Po kështu është parashikuar që shtetasi kryefamiljar, i martuar, që ka një a më shumë fëmijë të mitur, të mos thirret për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Gjithashtu, kur shtetasi kryefamiljar, i martuar është duke kryer shërbimin ushtarak edhe gjatë kësaj kohe ai bëhet me një a më shumë fëmijë, mund të lirohet nga shërbimi ushtarak.
14 Gusht 2008