Përdoruesit e tokave bujqësore do të përfitojnë kompensim fizik në zona urbane
Në ligjin për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore parashikohet që poseduesit e tyre të përfitojnë kompensim fizik në zonat urbane. Ky ligj është miratuar në përputhje me një dekret të presidentit në vitin 1996, i cili nuk ka kaluar për miratim në Kuvend, ndërkohë që është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka sjellë kontradikta ligjore. Në këtë ligj parashikohet që përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave urbane, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt, të vitit 1996, kompensohen me truall në zonat urbane, në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike. Kompensimi në truall do të bëhet për familjet mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit të jetë deri në 500 m2. Për familjet me më pak pjesëtarë do të zbritet 100 m2 për çdo pjesëtar më pak në përputhje me të dhënat e regjistrit të Gjendjes Civile. Përdoruesit e tokës bujqësore, brenda vijave kufizuese të zonës me përparësi turizmin, të përcaktuara sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt, të vitit 1996, do të kompensohen me truall në zonë turistike, në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike. Kompensimi në truall, për familjet mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit do të jetë deri 500 m2. Për familjet me më pak pjesëtarë, zbritet 100 m2 për çdo pjesëtar më pak.
Dekreti i Presidentit më 1996-n
Në dekretin e presidentit Berisha në vitin 1996 është parashikuar që të përjashtohen nga dhënia e pronësisë tokat bujqësore që ndodhen brenda vijës së verdhë. Tokat bujqësore që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit. Tokat bujqësore të përfshira në veprimtari eksperimentale-shkencore të instituteve kombëtare shkencore. Tokat e dhëna në përdorim specialistëve të bujqësisë. Tokat bujqësore që janë pushtuar ose fituar në mënyrë të paligjshme, tokat që kanë qenë në përdorim, por që nga përdoruesit janë bërë kalime pronësie të paligjshme ose të çdo lloj veprimi tjetër të pabazuar në ligj. “Me hyrjen në fuqi të këtij ligji familjet bujqësore ose individët që kanë dokumente për dhënien në përdorim të tokës bujqësore duhet të paraqiten pranë organeve të pushtetit lokal për përplotësimin e dokumentacionit përfundimtar sipas procedurave të ligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, - shkruhet në dekretin e presidentit, i shpallur më 3.1.1996. Ky dekret gabimisht nuk është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në atë kohë, por është botuar në Fletoren Zyrtare dhe është zbatuar në disa raste duke krijuar kontradikta ligjore e konfuzion.
14 Gusht 2008